Lidhje

SHBA: Përpjekje masive përgjatë bregdetit verilindor


Pompohet uji nga ndërtesat e përmbytura, rikthehet gradualisht energjia për miliona banorë dhe rifillon transporti publik në Nju Jork

Një përpjekje masive është duke u zhvilluar përgjatë bregut verilindor amerikan për të pompuar ujin nga ndërtesat e përmbytura, për të risjellë energjinë për miliona banorë, dhe për të rifilluar transportin publik në një nga qytetet më të ngarkuara të vendit, ndërsa rajoni lufton për të rimarrë veten nga stuhia Sandy.

Qyteti i Nju Jorkut, i goditur rëndë shfaqi shenja jete sot ndërsa rifilloi shërbimi në disa linja autobuzi dhe hekurudhore, pasi stuhia shkaktoi përmbytje nëpër rrugë dhe linjat e metrosë.

Autoritetet thonë se 14 nga 23 linjat e metrosë së qytetit do të rihapen së shpejti, ndërkohë që hyn në fuqi gjendja e emergjencës për transportin.

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo shpalli gjendjen e emergjencës për transportin, pasi u rrit ndjeshëm numri i banorëve që lëviznin me makinë nëpër qytet, pas mbylljes së metrosë. Me urdhërin e guvernatorit, sot dhe nesër udhëtarët nuk kanë nevojë për bileta për të udhëtuar me trena, metro dhe autobusë.

Ndërkaq është rikthyer pjesërisht në funksionim edhe aeroporti La Guardia, ndërsa aeroportet JFK dhe Newark rifilluan që dje shërbime të kufizuara.

Kryetari i Bashkisë Michael Bloomberg tha se Maratona e Nju Jorkut do të mbahet të dielën sipas planifikimit, ndërsa shkollat do të hapen të hënën.

Në Nju Xhersi, autoritetet po kërkojnë mes rrënojave në rajonin bregdetar që është dëmtuar rëndë nga stuhia.

74 vetë kanë gjetur vdekjen nga stuhia në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG