Lidhje

NYT: Al-Qaida nuk kishte gisht në sulmin e Bengazit


Një artikull investigativ i gazetës The New York Times merr në shqyrtim rrethanat e vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi dhe tre amerikanëve të tjerë më 11 shtator 2012. Artikulli thekson se nuk duket që sulmi kishte lidhje me al-Kaidën apo me ndonjë grup tjetër terrorist.

Gazeta The New York Times thotë se për muaj të tërë gazetarët e saj intervistuan libianë në Bengazi, të cilët kishin dieni të drejtpërdrejta për sulmin ndaj konsullatës amerikane dhe rrethanat në të cilat u zhvillua sulmi. Asnjë nga burimet nuk dha prova se al-Kaida ishte pas këtij sulmi.

Përfundimet nga hetimi që zhvilloi gazeta e ndezin më tepër debatin politik në Uashington lidhur me reagimin e administratës Obama ndaj incidentit vdekjeprurës.

Artikulli thotë se sulmi u udhëhoq nga luftëtarë lokalë, të cilët kishin përfituar nga ndërhyrja e NATO-s gjatë kryengritës kundër Moammar Gadhafit. Sipas të përditshmes prestigjoze, sulmi u ndez më tej si rezultat i një videoje amatore të realizuar në Shtetet e Bashkuara, e cila u konsiderua si ofenduese për fenë islame.

Këto përfundime duket se mbështesin pjesërisht deklaratën e ish-Ambasadores amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas sulmit në një intervistë televizive:

"Besojmë se elementë në Bengazi, një grup i vogël njerëzish, erdhën në konsullatën amerikane për një ballafaqim të ngjashëm me atë që u pa në Kajro, por incidenti u ndez nga disa grupe të vogla ekstremiste”.

Disa anëtarë të Kongresit, pjesa më e madhe republikanë të opozitës, u shrehën se sulmi nuk ishte një reagim spontan ndaj videos, por akt i grupeve terroriste, që ishte mbajtur sekret nga Shtëpia e Bardhë.

Senatorët republikanë Lindsey Graham dhe John McCain i drejtuan pyetje Ambasadores Susan Rice lidhur me incidentin dhe thanë se nuk ishin të kënaqur me përgjigjen.

"Sot ndjehem edhe më i shqetësuar se më parë dhe nuk jemi asgjëkundi më pranë përgjigjeve bazë”.

"Eshtë e qartë se informatat që zonja Rice i dha popullit amerikan nuk ishin të sakta”.


Debati u intensifikua në javët para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2012. Presidenti Obama kishte në plan ta emëronte zonjën Rice si Sekretare të Shtetit për të zëvendësuar zonjën Hillari Klinton. Por me shtimin e kritikave, zonja Rice u eliminuar si kandidate. Ndërkaq, Sekretarja Klinton iu përgjigj e revoltuar pyetjeve të senatorëve për zhvillimet në Bengazi:

"Me gjithë respektin që kam për ju, fakti është që katër amerikanë kanë gjetur vdekjen. A ishte rezultat i protestës, apo i një grupi njerëzish që kishin dalë shëtitje dhe një natë të bukur vendosën të vrasin 4 amerikanë? Cfarë rëndësie ka? Tani kemi për detyrë të zbulojmë çfarë ndodhi dhe të bëjmë ç’është e mundur për të mos e lejuar në të ardhmen”.

Sipas analizës së gazetës The New York Times investigation, kërcënimet nga grupe ekstremiste lokale janë intensifikuar në të gjithë Lindjen e Mesme dhe vëmendja ndaj luftës kundër al-Kaidës mund ta ketë larguar vëmendjen e Amerikës nga kërcënimi ndaj interesave të saj.

Artikulli u nxor disa orë pasi Departamenti i Shtetit tha se qeveria libiane kishte liruar katër pjesëtarë të ushtrisë amerikane të ndaluar pak kohë më parë. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha se të katër amerikanët ishin ndaluar pranë Sabrathas, ku ndodheshin për të marrë pjesë në “operacione përgatitore për sigurinë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG