Lidhje

Kina bllokon aplikacionin e New York Times


Kompania "Apple" ka hequr aplikacionin e saj që u ofronte klientëve në Kinë mundësinë për të lexuar gazetën "New York Times" në gjuhën angleze ose kineze. Kompania thotë se vendimi u mor pasi autoritetet kineze e informuan "Apple" se ishte në kundërvajtje me rregulloret në vend. Kjo masë është një tjetër sinjal i këmbënguljes së autoriteteve kineze për të censuruar median ndërkombëtare:

Eliminimi nga tregu kinez i aplikacioneve të gazetës New York Times në gjuhën kineze dhe angleze pason kërkesën e autoriteteve kineze për të ndalur këtë shërbim, njoftoi sot kompania Apple. Applikacionet u hoqën më 23 dhjetor, njoftoi gazeta.

Zëdhënësi i kompanisë Apple, Fred Sainz tha për agjencinë Reuters se vendimi u mor pasi kompania u informua se ishte në kundërvajtje të rregullave kineze.

Një muaj më parë, autoriteti i hapësirës dixhitale në Kinë bëri thirrje për kontroll më të madh mbi median, duke ngritur shqetësimin për trazira sociale, cënim të normave të moralit dhe kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Nuk i kam të qarta hollësitë e kësaj çështjeje, por mund t’ju them se Kina gjithmonë mbështet dhe nxit zhvillimin e internetit. Por zhvillimi i internetit në Kinë duhet të respektojë në parim rregullat dhe ligjet kineze,” - thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Zëdhënësja e New York Times, Eileen Murphy se menaxherët e gazetës i kanë kërkuar kompanisë Apple të rishikojë vendimin.

Faqja elektronike e gazetës New York Times është e bllokuar që në 2012, pasi New York Times botoi një seri artikujsh mbi pasuritë që zotëronin të afërmit e kryeministrit të atëhershëm kinez Wen Jiabao.

Veprimet kineze dërgojnë një sinjal shqetësues për këmbënguljen e Kinës për të kontrolluar shkëmbimin e lirë të informacionit dhe aktivitetin e shtetasve të saj në internet. Por shumë abonentë të New York Times thonë se masa do të ketë vetëm një ndikim të vogël:

“Për mua nuk do të ketë ndikim të madh. Nuk do të kem mundësi t’i marr lajmet në kohë dhe do më duhet të “kapërcej murin” për të marrë informacionin. Tani informacioni nuk merret më në formë pasive, duhet veprim aktiv, por gjithsesi informacionin e gjen,” - thotë një abonent i New York Timesit.

"Kapërcimi i Murit” është bërë një shprehje e njohur për përdoruesit e internetit në Kinë. Në analogji me Murin e Madh kinez, ata u referohen përpjekjeve për të kapërcyer censurën kineze në kërkim të informacionit, si kapërcimi i “Murit të Madh Dixhital të Kinës”.

Aplikacioni për New York Times është shërbimi i fundit që bllokohet nga presioni i autoriteteve kineze. Në prill Apple bllokoi qasjen në iBooks dhe iTunes Movies, shërbime që ofrojnë libra elektronikë ose filma që shihen përmes mjeteve dixhitale.

Apple ka bllokuar më parë aplikacione të grupeve të tjera mediatike për të mos lejuar shitjen e tyre në Kinë, por asnjë prej këtyre grupeve aq i mirënjohur sa New York Times. Ndërkohë aplikacionet për grupet mediatike CNN, Wall Street Journal dhe Financial Times mbeten aktive, megjithëse faqet e tyre elektronike janë të bllokuara në Kinë. Media kineze nuk e ka njoftuar heqjen e aplikacionit të New York Times-it, por masa u diskutua në masë në median sociale.

XS
SM
MD
LG