Lidhje

Nju Jorku – qyteti i produksioneve televizive


Numri i serialëve televizivë të prodhuar në qytetin e Nju Jorkut është rritur ndjeshëm. Industria e argëtimit filmik tani përbën 8,7 miliardë dollarë për ekonominë lokale – një rritje prej 21 përqind në katër vitet e fundit. Studiot janë zgjeruar – po ashtu edhe vendet e punës.

Studiot Steiner janë kompleksi më i madh i produksionit televiziv në Bregun Lindor. 49 seriale dhe filma televizivë prodhohen në Nju Jork, shumica e tyre në 16 skenat e këtyre studiove.

Luis Castro është në zyrën e Bashkisë për Median dhe Argëtimin:

“Televizioni është rritur shumë. Dhe kjo pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës për përmbajtje të skriptuar. Kemi rrjete kabllore, platforma të reja dixhitale që kanë kërkuar dhe nxjerr programe të reja. Kjo do të thotë se ka shumë produksion në fushën e televizionit.”

55 vjeçari Doug Steiner është njeriu pas kësaj rritjeje të madhe. Ai dha me qera pjesë të asaj që dikur ishte kantier i marinës së qytetit dhe filloi biznesin e produksionit me 28 mijë metra katrorë sipërfaqe përveç 28 mijë të tjerave që ka në ndërtim. Ai mori ndihmë financiare nga qyteti dhe shteti:

“Ne shfrytëzuam uljen e taksës për filmin dhe televizionin. Është fitimprurëse për shkak të infrastrukturës që është këtu dhe ekipit të punës. Ka qënë një gjenerator i madh për krijimin e vendeve të punës – direkt dhe indirekt. Mendoj se rreth 85 mijë vende pune janë krijuar dhe rreth 8 miliardë e gjysmë dollar në aktivitet ekonomik."

Në se zoti Steiner ka të drejtë dhe qyteti vazhdon programin e trajnimit të njerëzve nga të gjitha fushat e jetës, komisioneri Castro thotë se kjo do të thotë biznes për Nju Jorkun dhe njujorkezët:

“Do të thotë vende pune. Vende pune të paguara mirë për njujorkezët. Si mbikqyrës të skenarit, ndihmës producent, arkitekt-dekori. Pra ka një numër mundësish në këtë industri në Nju Jork që janë të mundura për shkak të numrit të madh të produksioneve.”

Kantieri i marinës u krijua në vitet 1800 kur president ishte Thomas Jefferson … këtu u ndërtuan anije të mëdha që i shërbyen këtij vendi. Tani vendi i historive të mëdha në botën e argëtimit.

XS
SM
MD
LG