Lidhje

Newt Gingrich sjell pika të forta dhe dobësi në zgjedhjet presidenciale


Newt Gingrich sjell pika të forta dhe dobësi në zgjedhjet presidenciale
Newt Gingrich sjell pika të forta dhe dobësi në zgjedhjet presidenciale

Votuesit në Shtetet e Bashkuara do të fillojnë procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm më 3 janar në shtetin e Iowa-s, ku republikanët do të mblidhen në grupe për të votuar për kandidatët e partisë së tyre.

Një prej kandidatëve kryesorë është Newt Gingrich.

Për dekada me radhë Newt Gingrich ka qënë një prej politikanëve republikanë më të njohur të Amerikës. Dhe tani në moshën 68 vjeçare, ai synon të sigurojë postin më të lartë të vendit, atë të presidentit.

Zoti Gingrich thotë se ai ka shanset më të mira mes kandidatëve republikanë që të fitojë ndaj presidentit Obama:

“Barak Obama nuk mund të mbrojë arritjet e tij, që kanë qënë të tmerrshme dhe një ideologji që është radikale”.

Zoti Gingrich u bë i njohur në skenën politike të vendit kur ai kryesoi republikanët me sukses në zgjedhjet për në Kongres të vitit 1994, duke i dhënë fund shumicës së demokratëve prej 40 vjetësh. Për këtë ai u shpërblye me postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zoti Gingrich, që e cilëson veten si revolucionar, është i njohur për propozimin e ideve të mëdha për zgjidhjen e problemeve të Amerikës. Ai thotë:

“Karakteri revolucionar dhe plot energji janë pikat e tij të forta, por ekzistojnë disa dyshime nëse ai mund të jetë një kandidat i qëndrueshëm dhe i fuqishëm, që do t’i bëjë ballë një fushate të gjatë”.

Në fillim të fushatës së tij zotit Gingrich iu desh t’u përgjigjej disa pyetjeve rreth stilit të jetës së tij të shtrenjtë, përfshirë edhe miliona dollarë të shpenzuar në udhëtime me aeroplan privat.

Bëhet fjalë gjithashtu rreth një shtëpie me vlerë prej 1 milion dollarësh në periferi të Uashingtonit dhe bixhuterive të shtrenjta, që ai ka blerë për të shoqen.

Një udhëtim i shtrenjtë me anije në ishujt e Greqisë gjatë fushatës presidenciale bëri që shumica e stafit të tij të jepte dorëheqje, ndërkohë që fushata e tij u zhyt në borxhe.

Zotit Gingrich i është dashur t’u përgjigjet pyetjeve rreth jetës së tij personale. Ai është martuar 3 herë, madje ka pranuar se ka pasur marrëdhënie jashtëmartesore. Në lidhje me këtë çështje ai thotë:

“Unë e kam thënë hapur se kam bërë gabime. Më është dashur t’i lutem Zotit për ndjesë dhe më është dashur të kërkoj ripajtim”.

Në fillim të dhjetorit, zoti Gingrich gëzonte një mbështetje të fortë në anketat e opinionit, por ky avantazh u zhduk kohët e fundit pas një seri reklamash negative nga rivalët e tij republikanë.

Por gjatë gjithë kohës, zoti Gingrich është zotuar të qëndrojë pozitiv:

“Ne po përjetojmë kohë të vështira dhe të rëndësishme për Amerikën. Ne duam dhe meritojnë zgjidhje. Duket se të tjerët janë më të përqëndruar në sulme se sa në ecjen përpara të vendit”. - thotë ai

Votuesit republikanë kanë ndryshuar mendim herë pas here në muajit e parë të fushatës.

Dhe ndërsa zoti Gingrich, ashtu si edhe kandidatët e tjerë republikanë, shkojnë në zgjedhjet e para paraprake në shtetin Iowa më 3 janar, një anketë opinioni e rrjetit televiziv CBS tregon se ata janë ende të gatshëm të ndryshojnë mendim rreth kandidatit për të cilin do të votojnë.

XS
SM
MD
LG