Lidhje

Newt Gingrich dhe Partia Republikane


Newt Gingrich ka një histori përballjesh me Clintonët në arenën kombëtare. Në vitin 1994, kur ish-presidenti Bill Clinton ishte në detyrë, Gingrich ishte pjesë e të ashtuquajturit Revolucioni Republikan që i dha kontrollin partisë mbi Dhomën e Përfaqësuesve për herë të parë pas katër dekadash. Ai u zgjodh kryetar i Dhomës dhe udhëhoqi nismën për një paketë legjislative që përfshinte një buxhet të balancuar dhe shkurtime taksash për klasën e mesme.

Por popullariteti që e bëri atë figurë të njohur në Partinë Republikane ra në vitin 1995, kur ai refuzoi të bënte kompromis me presidentin Clinton mbi bisedimet e buxhetit dhe një luftë mes dy partive më të mëdha të vendit rreth shpenzimeve të qeverisë rezultoi në dy pezullime të përkohshme të agjencive qeveritare.

Në vitin 1998, Gingrich këmbënguli për ndjekje penale ndaj Presidntit Bill Clinton dhe për largimin e tij nga detyra, pasi presidenti ishte akuzuar se kishte gënjyer para një jurie federale në lidhje me një marrëdhënie jashtëmartesore me stazhisten e Shtëpisë së Bardhë Monika Lewinsky. Presidentit Clinton iu hoqën akuzat.

Zoti Gingrich u mor në pyetje në lidhje me sjelljen e tij në vitin 1999, kur ai u hetua nga Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve nëse kishte keqpërdorur donacione që nuk taksohen. Ai është i vetmi kryetar i Dhomës i disiplinuar për shkelje etike dhe ra dakord të paguante 300,000 dollarë gjobë. Polemikat rezultuan në dorëheqjen e tij të papritur nga Dhoma e Përfaqësuesve në vitin 1999. Ai kishte qenë kongresmen i shtetit Xhorxhia që nga viti 1979.

Edhe pas largimit nga Kongresi Gingrich vazhdoi të ishte në syrin e publikut si komentator televiziv, këshilltar politik dhe autor.

Në vitin 2012, ai konkuroi për emërimin e Partisë Republikane për president dhe fitoi zgjedhjet paraprake në shtetet e Xhorxhias dhe Karolinës së Jugut por u tërhoq nga gara në maj të të njëjtit vit.

73-vjeçari ka mbështetur publikisht Donald Trumpin gjatë muajve të fundit, edhe pse disa republikanë të njohur kanë shprehur pakënaqësi ndaj kandidatit të partisë së tyre.

“Tërheqja nga gara e çdo kandidati të lidhur me politikën përveç Trumpit tregon se programi i Trumpit do të ndryshojë realitetin,” shkruante Gingrich në Tweeter në muajin qershor.

XS
SM
MD
LG