Lidhje

Ngërci politik, ende pa marrëveshje


Ndërmjetuesi i parlamentit europian Eduard Kukan i propozon palëve një tekst për zgjidhjen e situatës. Bisedimet mes shumicës dhe opozitës vazhdojnë edhe pas largimit të zotit Kukan

Në Shqipëri edhe përpjekja e sotme e eurodeputetit Eduard Kukan për arritjen e një marrëveshjeje mes shumicës dhe opozitës, që do t’i jepte fund bojkotit të kësaj të fundit, nuk ka sjellë një rezultat përfundimtar. Palët megjithatë kanë deklaruar se janë afër përmbylljes, dhe duket se ndahen mes tyre më shumë për cështje të formës se sa të përmbajtjes. Ato do të vazhdojnë të punojnë rreth një teksti të propozuar nga zoti Kukan, i cili do të ndjekë ecurinë e procesit në distancë.

Ngërçi politik, ende pa marrëveshje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

​Tre ditë pas përpjekjeve të para të eurodeputetit të së majtës europiane Knut Fleckenstein, kolegut i tij i së djathtës Eduard Kukan, nisi bisedimet me përfaqësuesit politik në Tiranë mbi një tekst konkret që ua paraqiti palëve.

Zoti Kukan tha se "qëllimi është rivendosja e dialogut politik në Shqipëri, i cili është shumë i rëndësishëm për vendin nëse dëshirohet të ecet përpara me sukses në procesin e integrimit europian".

Zoti Kukan pati një paradite intensive. Pas afër një orë bisedimesh me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, zoti Kukan u takua me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas me kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Përpara se të largohej nga Shqipëria, ai zhvilloi një bisedë të dytë për më shumë se një orë me zotin Basha. Palët nuk dhanë detaje mbi diskutimet apo cështjet mbi të cilat po zhvillohen bisedimet të cilat do të vazhdojnë ende.

“Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës, pra kërkesat kryesore të saj dhe çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të Kuvendit ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe për gjithëpërfshirje”, u shpreh zoti Meta.

Kryetari demokrat Basha, dukej optimist, edhe sepse, ndërmjetësimi i parlamentit europian, është pjesë e kërkesave të opozitës për të patur garanci. Por edhe ai u rezervua të japë hollësi duke lënë të kuptohet se sipas tij zgjidhja është në dorën e shumicës: “Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses. T’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi”.

Palët megjithatë duket se po ndahen me shumë jo aq në cështjet që lidhen me përmbajtjen e marrëveshjes se sa në detaje anësore apo teknike dhe të formës. Ende duket se nuk është rënë dakort nëse do të bëhet fjalë për një dokument që do të nënshkruhet nga palët apo ajo do të ketë formën e një rezolute që do të miratohet në parlament pasnesër, ku opozita do të rikthehej në rast të gjetjes së një zgjidhje. Gjithashtu, dakortësi ka edhe për cështjen e dekriminalizimit të parlamentit dhe institucioneve, ndërkohë që mbetetet për tu përcaktuar si do realizohet dhe asistenca ndërkombëtare në këtë proces.

XS
SM
MD
LG