Lidhje

Everesti dhe sfidat e alpinistëve


60 vjet më parë, Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay u bënë njerëzit e parë që arritën majën Everest të Himalajeve, më e larta në botë. Ngjitja e tyre kërkoi shtatë javë, shumë më tepër se sa udhëtimet e sotme për në majën e Himalajës. Ngjitja e Everestit nuk është më aq e frikshme sa dikur.

Frits Vrijlandt, kreu i Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit, e ngjiti Everestin në vitin 2000. Ai thotë se në atë kohë çdo vit ngjiteshin në majë 100 vetë, krahasuar me gati 500 që ngjiten tani.

Grumbuj njerëzish po e pushtojnë malin, kryesisht ngaqë tani është më e lehtë sesa më parë, thotë Vrijlandt. Ai thotë se kompani ekspeditash vendosin litarë nga kampi bazë për në majë përgjatë dy shtigjeve të malit – njëra nga ana nepaleze dhe tjetra nga ajo tibetiane. Gjithashtu nepalezët i ndihmojnë alpinistët të transportojnë ushqimin, tendat, shkallët dhe oksigjenin.

Alpinisti me famë Reinhold Messner, dikur u ngjit i vetëm në Everest pa furnizime oksigjeni.

Sot, thotë Vrijlandt , disa njerëz që arrijnë majën me lartësi 8,850 metra nuk kanë përvojë ngjitjeje.

“Kam parë njerëz që nuk janë ngjitur asnjëherë mbi akull, dhe që kanë parë vetëm akullin që hidhet në pije. Këta njerëz, nuk mund të them se janë alpinistë. Por në se mundohen dhe fitojnë përvojë duke arritur të ngjiten 6,000 apo 7,000-metra në Nepal apo diku tjetër, atëherë do të jenë më të përgatitur dhe do të jenë gati të ngjiten në Everest.”

Vrijlandt thotë se magjepsja e ngjitjes në Everest po venitet.

“Eshtë ende një arritje dhe ai mbetet mali më i lartë në botë, dhe ta themi hapur, ende mund të vdesësh duke u ngjitur pasi është një mal shumë i lartë. Por duke parë njerëzit që kanë mundur të ngjiten edhe pa patur eksperiencë, një pjesë e magjisë ka humbur.”

Kreu i kompanisë së ekspeditës së Himalajeve, Iswari Paudel, pohon gjithashtu se ngjitja është bërë më pak sfiduese.

“Tani kanë ndryshuar shumë gjëra. Çdo vit po bëhet më e lehtë, kështu që ka më shumë shanse për të arritur majën.”

Ndihma që u mundësohet alpinistëve ka hapur dyert për të vendosur rekorde në Everest. Disa rekorde u vendosën në sezonin e pikut të ngjitjeve në muajin maj.

Një 80 vjeçar japonez që Vrijlandt thotë se kishte gati 20 ndihmësa, u bë njeriu më i moshuar që ngjit Everestin. Vrilandt thotë se kjo ishte më shumë një arritje në ekip sesa një arritje personale.”

Rekorde të tjera përfshijnë alpinistin e parë me të dyja këmbët e prera, gruan e parë me këmbë të prerë, gruan e parë saudite dhe pakistaneze, binjakët e parë dhe njeriun e parë që u ngjit në Everest nga të dyja shtigjet në të njëjtin sezon.

Shumë gjëra kanë ndryshuar rreth Everestit që kur Hillary dhe Norgay u ngjitën në të në vitin 1953. Por një gjë mbetet e pandryshuar: pamja mbresëlënëse nga maja e tij.
XS
SM
MD
LG