Lidhje

Nisë, reagojnë udhëheqësit botërorë


Udhëheqës nga mbarë bota po shprehin ngushëllimet për viktimat e masakrës së të enjtes në Nisë të Francës. Presidenti amerikan Barack Obama publikoi të enjten në Twitter një deklaratë duke shprehur ngushëllime për familjet e të vrarëve në sulm. Ai tha se Franca është aleate e vjetër e Shteteve të Bashkuara.

“Në Ditën e Bastijës, kujtojmë forcën e jashtëzakonshme dhe vlerat demokratike që e kanë bërë Francën frymëzim për të gjithë botën. Ne e dimë se karakteri i Republikës së Francës do të qëndrojë i fortë përtej kësaj humbjeje shkatërrimtare jetësh”, shkruante presidenti Obama.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, i cili ishte në Francë për të festuar Ditën e Bastijës, e quajti sulmin sulmin të tmerrshëm. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojmë me vendosmëri pranë popullit francez në këtë tragjedi”, u shpreh zoti Kerry.

Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk u bëri thirrje të gjithë njerëzve që të solidarizohen me Francën.

“Është një paradoks tragjik se viktimat e sulmit ishin njerëz që po festonin lirinë dhe vëllazërinë”, tha zoti Tusk ndërsa po merrte pjesë në një takim me udhëheqës aziatikë dhe evropianë në Mongoli. “Do të jemi të bashkuar me familjet e viktimave, popullin francez dhe qeverinë në luftën kundër dhunës dhe urrejtjes.”

Ministri i jashtëm spanjoll Jose Manuel Garcia-Margallo, i cili po merrte gjithashtu pjesë në takim në Mongoli, tha se u kishte telefonuar homologëve të tij në Francë për të shprehur pikëllimin. “Jemi të pikëlluar dhe përkrah popullit dhe qeverisë franceze”, u shpreh ai.

Kryeministri kinez Li Keqiang tha “e dënojmë fuqishëm terrorizmin e të gjitha formave. Shprehim ngushëllimet për viktimat dhe luftojmë çdo lloj forme të terrorizmit.”

Kryeministri kanadez Justin Trudeau shprehu në Twitter mesazhin e tij për popullin francez në angilsht dhe frëngjisht. “Kanadezët janë të tronditur nga sulmi në Nisë. Simpatia jonë është me viktimat dhe solidariteti me popullin francez.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG