Lidhje

Ekipi amerikan në kërkim të vajzave nigeriane

  • Jeff Seldin

Pentagoni thonë se pjesa më e madhe e ekipit të tij ndodhet tani në Nigeri ku po ndihmon përpjekjet për gjetjen e mbi 200 vajzave të shkollës së mesme të rrëmbyera nga rrjeti Boko Haram. Por zyrtarët paralajmërojnë se koha po kalon.

Gjashtë ekspertë nga Komanda Amerikane për Afrikën mbërritën dje në kryeqytetin nigerian, Abuxha. Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se edhe dy ekspertë do të mbërrijnë së shpejti, në kuadër të një ekipi amerikan me detyrën për të ndihmuar Nigerinë të shpëtojë vajzat e rrëmbyera:

"Në çdo situatë me pengje, koha është faktor vendimtar dhe nuk ka diskutim që në këtë rast jemi në garë me kohën”.

Zoti Kirby tha se personeli i sapo-dërguar amerikan do t’u bashkohet 10 specialistëve të tjerë që ndodhen në Nigeri. Synimi i tyre është të ndihmojnë nigerianët me komunikim, planifikim dhe analizim të të dhënave të zbulimit.

"Nuk bëhet fjalë për operacione ushtarake amerikane në Nigeri për kthimin e vajzave. Nuk është ky objektivi ynë”.

Pavarësisht nga shqetësimet se koha po kalon për gjetjen e vajzave të rrëmbyera, për momentin Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk do të përdorin avionë të telekomanduar për gjetjen e pengjeve, duke ia lënë këtë aspekt të kërkimeve ushtrisë nigeriane.

"I bëjmë thirrje ushtrisë nigeriane të përdorë të gjitha burimet në dispozicion. Ata kanë burime në dispozicion për gjetjen dhe shpëtimin e vajzave”.

Zoti Kirby thotë se Uashingtoni kishte ofruar më parë ndihmë për qeverinë nigeriane, por ndihma nuk ishte pranuar deri këtë javë.
Ai tha gjithashtu se megjithëse operacioni është i përqëndruar vetëm në shpëtimin e vajzave të rrëmbyera, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Nigerinë në mbështetje të përpjekjeve anti-terroriste.

"Nigerianët janë shumë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet Boko Harami për ta dhe sigurinë e tyre kombëtare”.

Edhe Britania ka dërguar një ekip në Nigeri për të ndihmuar përpjekjet e kërkimit. Pritet që britanikët të punojnë nga afër me amerikanët. Zyrtarët britanikë thonë se përveç bashkëpunimit në këtë operacion, ekipi i tyre do të analizojë edhe mënyra për të luftuar Boko Haramin.
XS
SM
MD
LG