Lidhje

Nigeri, njoftime kundërthënëse për rrëmbim


Zyrtarët në Nigerinë verilindore kanë përgënjeshtruar njoftimet se ekstremistë të Boko Haramit rrëmbyen 20 gra në një fshat pranë Chibokut, ku në prill u rrëmbyen mbi 200 vajza.

Në një intervistë për Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën hausa, komisioneri i policisë për shtetin Borno, Lawal Tanko tha se policia lokale nuk është në dieni të ndonjë rrëmbimi.

Kreu i qeverisë lokale për Chibokun, Ben Lawan po ashtu tha për Zërin e Amerikës se nuk ka dëgjuar njoftime për rrëmbim.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se ekstremistë të Boko Haramit rrëmbyen 20 gra në fund të javës së kaluar nga Garkin Fulani, një vendbanim i vogël pak kilometra nga Chiboku.

Agjencia citon në artikullin e saj një anëtar të një grupi vullnetar për vetëmbrojtje, sipas të cilit gratë i futën me forcë në disa makina, të cilat u larguan në drejtim të panjohur.

Agjencia Associated Press tha për Zërin e Amerikës se i përmbahet njoftimit të saj.
XS
SM
MD
LG