Lidhje

Paris, takim mbi ngjarjet në Nigeri


Presidenti francez Francois Hollande thotë se grupi militant me bazë në Nigeri, Boko Haram, është bërë kërcënim për të gjithë Afrikën Perëndimore dhe Qendrore dhe se duhet hartuar një plan gjithëpërfshirës për ta luftuar atë.

Zoti Hollandë i bëri komenetet sot, në një konferencë shtypi në Paris, pas një takimi me homologët e tij nga Nigeria dhe vendet fqinjë.

Takimi ndodh pas rrëmbimit nga grupi Boko Haram i 300 vajzave të shkollës më 14 prill, 276 prej të cilave ende nuk dihet ku janë. Rrëmbimi masiv ka shkaktuar zemërim në mbarë botën dhe akuza se qeveria nigeriane nuk po bën sa duhet për të realizuar lirimin dhe kthimin e vajzave.

Presidenti francez tha se Boko Haram është një grup me lidhje me Al Kaidën dhe i tha udhëheqësve rajonalë se nevojitet një plan gjithëpërfshirës për shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e aktiviteteve.

Presidenti Nigerian Goodluck Jonathan ishte i të njëjtit mendim me presidention francez dhe tha se "Boko Haram nuk është më një grup terrorist lokal.” Ai tha se militantët e grupit operonin si një Al Kaida e Afrikës perëdnimore.”

Zoti Jonathan tha se qeveria e tij ishte e përkushtuar për gjetjen e vajzave të shkollës dhe se 20 mijë trupa nigeriane janë dislokuar në Nigerinë veriore, ku ndodhën rrëmbimet.

Vetëm disa orë para se udhëheqësit të mblidheshin në Paris, persona të dyshuar si militantë të Boko Haramit, kryen një sulm në rajonin kufitar të Kamerunit fqinj.

Zyrtarët lokalë thane se militantët sulmuan një kamp punonjësish kinezë në qytetin Waza, duke vrarë një person. Hetuesit thonë se 10 punëtorë kinezë kanë humbur dhe mendohet se janë rrëmbyer nga militantët e dyshuar.
XS
SM
MD
LG