Lidhje

Dy vajza nigeriane tregojnë se si i shpëtuan Boko Haramit


Disa vajza nigeriane, të cilat arritën të shpëtojnë, pasi ishin rrëmbyer nga grupi Boko Haram po flasin tani në lidhje me ngjarjen e frikshme, e cila ende vazhdon për qindra shoqet e tyre të shkollës. Ato thonë se kanë përjetuar momente të tmerrshme para se të arrinin t’u shpëtonin pengmarrësve. Papa Françesku u lut sot për lirimin e vajzave, ndërsa kryeministri britanik David Cameron e cilësoi rrëmbimin e vajzava si tregues për ekzistensën e “islamizmit ekstremist dhe të dhunshëm” në Nigeri dhe në vende të tjera.

Këto vajza tregojnë se si u kanë shpëtuar rrëmbyesve.

"Arritëm në një pyll dhe vendosëm të hidheshim nga kamioni, meqenëse edhe vajza të tjera po hidheshin nga kamioni. Ishte më mirë kështu, edhe nëse ata do të na vrisnin, sepse nuk e dinim se ku po na çonin. Unë dhe kjo vajzë u hodhëm nga kamioni dhe filluam të vraponim," tha një nga vajzat e rrëmbyera.

"Ata zgjodhën disa prej nesh për të sjellë ujë dhe për të gatuar për grupin. Unë u përkula gjoja për të ngrënë, por instinkti më tha të vrapoja dhe unë dhe një tjetër vajzë ikëm me vrap,"- tha një e mbijetuar tjetër.

Vajzat iu bashkuan familjeve të shoqeve të tyre të klasës në shtetin Borno të shtunën, ndërsa prindërit kërkuan sërish mes emocioneve që autoritetet të bëjnë më tepër për shpëtimin e vajzave, tashmë të humbura prej gati një muaji.

"Që të hënën kur ndodhi rrëmbimi ne menduam se do të dërgoheshin ushtarë për të gjetur vajzat tona. Sikur të ishin dërguar ushtarë, pa dyshim vajzat tona do të ishin kthyer, por kjo nuk ndodhi. Kanë kaluar mbi tre javë tashmë," thotë nëna e njërës prej vajzave të rrëmbyera.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International thotë se forcat nigeriane të sigurisë nuk reaguan ndaj paralajmërimeve që filluan të vinin më shumë se katër orë para se Boko Haram të sulmonte shkollën në Chibok, mbrëmjen e 14 prillit.
Presidenti nigerian Goodluck Jonathan ka thënë se rrëmbyesit nuk kanë vendstrehim të fshehtë, por vendndodhja e tyre mbetet një mister.
Udhëheqësi i grupit ekstremist Boko Haram ka thënë se kanë ndërmend t’i "shesin" vajzat.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë mes vendeve që kanë ofruar ekspertizë dhe njerëz për të ndihmuar në gjetjen e vajzave të rrëmbyera. Policia nigeriane ka ofruar një shpërblim prej 300 mijë dollarësh për informacion që çon në zbulimin e vendndodhjes dhe në shpëtimin e nxënëseve.
XS
SM
MD
LG