Lidhje

Tiranë: Përmbytjet, dëmet dhe polemikat partiake


Përmbytjet që ndodhën në Fier dhe Vlorë në fund-javë shkaktuan dëme të konsiderueshme.

Ekipet e emergjencës civile po vazhdojnë punën në zonat e dëmtuara.

Qeveria bëri të ditur se po investon 4 milionë euro në argjinaturat e lumenjve pranë Vlorës dhe Fierit.

Ndërsa Partia Socialiste dhe ajo Demokratike shkëmbyen sërish akuza, për gjendjen e krijuar.

Përmbytjet e kësaj vjeshte shkaktuan sërish dëme të rënda materiale dhe sollën edhe një herë polemikat midis qeverisë dhe opozitës për kujdesin ndaj qytetarëve të dëmtuar.

Shirat e rrëmbyer përmbytën banesa, biznese dhe dëmtuan rrugë e ura, për të cilat ende nuk është publikuar ndonjë bilanc i përafërt i dëmeve.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokatike të opozitës, Arben Ristani, thotë se përmbytjet janë dramatike, po ashtu si nënvlerësimi i qeverisë, e cila ka hequr 5 milionë dollarë nga fondi i kullimeve.

Opozita kërkoi dëmshpërblime ndaj banorëve të dëmtuar për përmbytjet e kësaj fundjave, por socialistët hodhën deklaratat e opozitës për indiferencë.

Partia Socialiste deklaroi se emergjencat civile, ministrat dhe deputetët janë në terren, në mbështetje dhe në ndihmë të familjeve në nevojë.

Ajo kërkoi që të gjithë të mbështesin punën e emergjencave civile, shtabeve të ngritura në zonat e prekura nga përmbytjet, në mënyrë që situata të normalizohet sa më shpejt.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte në zonat e përmbytura në Fier dhe Vlorë, ku u bë e ditur se janë ngritur komisione për konstatimin e dëmeve dhe shkaqeve të kësaj gjendje.

Sipas tij, po investohen 4 milionë euro për argjinaturat e lumenjve në atë zonë.

Dekadën e fundit janë duke u përsëritur një seri përmbytjesh në të gjithë territorin e vendit për shkak të dëmeve të rënda në mjedis si prerja e pyjeve dhe keqmenaxhimi i hidrocenareleve dhe veprave kulluese si dhe ndërtimet e paligjshme nëpër zonat e rrezikshme.

Përmbytjet arrinin njëra tjetrën, por dëmshpërblimet e premtuara herë u dhanë pjesërisht, dhe me shumë vonesë e herë nuk u dhanë fare, duke dekurajuar banorët dhe bizneset në ato zona.

Qeveria dhe opozita, ashtu si edhe për shumë cëshjte të tjera vazhdojnë të shkëmbejnë akuza politike, duke mos njohur punën e njëra tjetrës në situata të tilla.

XS
SM
MD
LG