Lidhje

Përfaqësuesit e serbëve të veriut takohen me presidentin serb

  • Leonat Shehu

Presidenti Nikoliç tha se do t’u dorëzojë përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me bisedimet Beograd-Prishtinë

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, tha sot se do t’u dorëzojë përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ai i bëri këto komente pak para takimit me përfaqësuesit serb të komunave veriore, takim ky që është bërë me kërkesë të këtyre të fundit.

Presidenti i ri i Serbisë Tomislav Nikoliç po ndeshet me kritika të shumta nga Perëndimi dhe nga rajoni, lidhur me deklaratat e tij të ditëve të fundit. Zoti Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij më radikale mundi kandidatin për president pro-Perëndimor Boris Tadiç në zgjedhjet e përsëritura të Serbisë më 20 maj.


Ditë më parë, presidenti i ri i Serbisë, kishte deklaruar se qytetarët e Serbisë së shpejti do ta marrin vesh saktë se për çfarë është marrë vesh shteti i tyre me Prishtinën, në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se serbët e Kosovës duhet të informohen për të gjitha marrëveshjet dhe vendimet e marra nga shteti i Serbisë, të cilat sipas tij ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.

“I kanë apo jo, ata sot do t’i marrin këto dokumente nga unë. Ky nuk është sekreti im. Jeta ime nuk varet nga ajo çfarë ndodhë në Kosovë. Makina ime ka targa që nuk mund t’i marrë askush, letërnjoftimi im vlen në tërë shtetin ku unë lëvizi. Ata janë të rrezikuar dhe fëmijët e tyre duhet të jetojnë në rrethana të tjera”, tha presidenti serb, duke u zotuar se në vazhdim të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian do të përfshihen edhe serbët e Kosovës.

Takimi ndërmjet Presidentit serb dhe përfaqësuesve të serbëve të veriut ndodh një javë pasi që dy pjesëtarë të forcave të NATO-s dhe tre qytetarë serbë u plagosën kur turmat e serbëve sulmuan paqeruajtësit, pas një operacioni për të larguar një nga barrikadat e vendosura nga serbët në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, që lidhë këtë qytet me Mitrovicën.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe në atë zonë edhe më tej nuk njihen e nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Rrugët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe u bllokuan që në korrik të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në atë zonë.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Serbisë të ndihmojë shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës dhe të mënjanojë strukturat paralele të sigurisë, ndërsa Prishtinës i kanë kërkuar një plan gjithëpërfshirës për zgjidhjen e situatës së atjeshme.

XS
SM
MD
LG