Lidhje

Studiuesit komentojnë për buxhetin e ri


Projekt-buxheti synon uljen e mëtejshme të borxhit të brendshëm dhe deficitit buxhetor

Qeveria dorëzoi sot në parlament projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2015, ku parashikohen rritje ekonomike 3 për qind, ulje e mëtejshme të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, dhe reforma në tatime, pensione, arsim dhe shëndetësi. Përfaqësues të qeverisë pohuan se janë projektuar edhe disa lehtësira fiskale për bizneset.

Kryetari i dhomës së tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka thotë se viti 2014 ishte një sfidë për sipërmarrjen, sepse u miratua edhe një paketë e re fiskale. Qeveria e re ndryshoi tatim fitimin nga 10 në 15 për qind. Në fund të vitit nuk po arrihen rezultatet e pritura. Në buxhetin e ri qeveria përsëri po ngre disa taksat por as nuk i pyeti dhe as nuk i dëgjoi kërkesat e biznesit, që kërkon lehtësira.

Qarqet e biznesit kërkuan që të mos ndryshojë asnjë tarifë aktuale, dhe të hartohet një strategji për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Dhoma e tregtisë ka kërkuar lehtësi tatimore për subjektet prodhuese, ndryshim të tvsh mbi bujqësinë dhe turizmin, parqe apo zona të lira ekonomike ku të transferohen teknologjitë e larta, por deri tani nuk është plotësuar asnjë prej këtyre.

Megjithatë vëzhgime të tjera pohojnë se është në rritje besimi i bizneseve për të vepruar në Shqipëri. Analisti i çështjeve ekonomike, Bardhi Sjedarasi, shpreson që firmat shqiptare të investojnë më shumë vitin e ardhshëm nga paratë që qeveria po ua kthen si borxhe të vjetra. Sipas tij, vitin tjetër ekonomia do të ecë më shumë me paratë e privatit dhe më pak me paratë e shtetit për investime publike.

Sipas studiuesve pika më e vështirë e ekonomisë gjatë këtij viti ishte mungesa e kreditimit nga një anë dhe sasia e madhe e kredive të këqija në anën tjetër. Kjo është edhe arsyeja që investimet janë të ulëta këtë vit. Studiuesi Selami Xhepa profesor në Institutin Kanadez të Teknologjisë, thotë se këtë vit ekonomia pati zhvillime kontraversiale, tremujori i dytë i prishi gjithë treguesit, dhe shumë nga të dhënat e ekonomisë së brendshme nuk janë pozitivë. Zoti Xhepa thotë që viti i ardhshëm do të jetë i vështirë, ecuria është pozitive por e pamjaftueshme në raport me atë që pritet.

Studiuesit mendojnë se edhte këtë vit, qeveria e ka menduar rritjen e taksave si burim kryesor të arave, por koha tregoi se rritja e taksave pakësoi mbledhjen e tyre. Administrata fiskale vëzhdon të mbetet e dobët, dhe rritja më tej e taksave do të shtojë vështirësitë për bizneset dhe taksambledhësit. Sipas tyre, bizneset mund të falimentojnë ose mund të devijojnë.

Analistët vlerësuan veçanërisht faktin që qeveria u angazhua të mos krijojë më borxhe ndaj bizneseve. Nga ana tjetër qeveria do të reduktojë më tej deficitin buxhetor dhe kjo vlerësohet si një masë tjetër me rëndësi për forcimin e ekonomisë. Ulja e deficitit buxhetor, sipas tyre, do të sjellë qëndrueshmëri dhe do të shtojë besimin e firmave private për të shtuar prodhimin dhe zgjeruar veprimtarinë.

XS
SM
MD
LG