Lidhje

Nintendo sjell tastierën e re të lojrave Wii U

  • Zëri Amerikës

Nintendo sjell tastierën e re të lojrave Wii U

Nintendo sjell tastierën e re të lojrave Wii U

Gjiganti japonez Nintendo paraqiti një variant të përparuar të tastierës Wii të lojrave elektronike. Tastiera e re Wii U u prezantua në Pnairin e madh E3 Expo në Los Anxhelos, i cili mbyllet nesër. Varianti i ri paraqitet pas dy vite rënieje në shitjet e Nintendos, e cila megjithatë ua kalon konkurrentëve të saj për sa u përket shitjeve. Ekspertët thonë se tastiera e re do të tërheqë njerëz të rinj në botën e lojrave elektronike.

Në Panairin Expo E3 në Los Anxhelos, paraqitja e tastierës së re Wii U të lojrave elektronike u prit me mjaft kurreshtje.

Tastiera e re transmeton video me definicion të lartë dhe ka një ekran me prekje, i cili zbulon lëvizjen dhe ndërvepron me atë që shfaqet në një ekran televiziv.

Tastiera e re përdor disqe optikë me definicion të lartë si dhe memorie të brendshme, kapaciteti i së cilës mund të rritet sipas dëshirës me teknologji USB dhe SD.

Cindy Gordon, është Zëvendës Presidente e Nintendos për Amerikën.

"U Wii është një risi e fundit e Nintendos. Kjo tastierë e re premton të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si ju shihni, luani dhe ndërveproni me lojrat elektronike."

Gordon thotë se tastiera e re do të tërheqë njerëz të rinj në botën e lojrave elektronike.

"Sigurisht me Wii, ne e zgjeruam audiencën e lojrave. Dhe ne duam që të vazhdojë ta bëjmë këtë me Wii U. Ky është një sistem që ne mendojmë se i thyen shabllonet e vjetra sepse me të mund të luash çdo lloj loje, qofshin këto lojra të avancuara apo më të thjeshta."

Kompania Nintendo thotë se Wii U do të hidhet në treg midis prillit dhe dhjetorit të ardhshëm. Çmimi për Wii U nuk është shpallur ende.

Kryeredaktori i blogut për lojrat elektronike, Kotaku Brian Crecente thotë se i pëlqen varianti i ri Wii U.

"Në fillim të duket sikur Wii U është thjesht një përmirësim sipërfaqësor i variantit të mëparshëm por pastaj, kur ata filluan të shpjegojnë se si funksionon ekrani, e kupton se tastiera e re është mjaft interesante. Mendoj se ajo ka një potencial të mirë dhe tregon se ç’mund të bëhet më tej në fushën e lojrave elektronike."

Crecente parashikon se tastiera e re mund ta ndihmojë Nintendon të bëjë përsëri për vete edhe ata klientë të cilët u larguan për shkak se tastiera e mëparshme ishte tepër e thjeshtë dhe nuk i kontrollonte mirë lëvizjet.

Wii U paraqitet pas dy vite rënieje në shitjet e Nintendos. Megjithatë, Nintendo ua kalon për nga shitjet simotrave të saj, Xbox 360 të Microsoftit dhe Sony PlayStation 3.

Martin Rae, President i Akademisë së Arteve dhe Shkencave Ndërvepruese, thotë se oferta e re e Nintendos do të bëjë për vete më tepër blerës.

"Shumë njerëz u larguan nga panairi duke thënë: "Nuk e kemi të qartë se çfarë mund të bësh me tastierën e re, ndoshta është thjesh një mashtrim. Por ata thanë të njëjtën gjë kur tastiera Wii u paraqit në treg me kontrollorët e lëvizjes. Pra, unë kam besim tek varianti i ri dhe mezi pres të shoh se çfarë të rejash do të na sjellin programet e tastierës së re."

Panairi i Elektronikës Expo E3 në Los Angeles mbyllet nesër.

XS
SM
MD
LG