Lidhje

Nis peticioni për shkarkimin e guvernatorit Fullani


Vazhdon në këtë mënyrë protesta për largimin e drejtuesit kryesor të Bankës së Shqipërisë pas vjedhjes së saj.

Disa qindra qytetarë të Tiranës ishin të parët sot që nënshkruan peticionin e saponisur nga shoqëria civile për shkarkimin nga detyra të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për shkak të vjedhjes së Bankës.

Pas disa ditë protesta para selisë së Bankës, duke kërkuar dorëheqjen e tij, veprimtarët e shoqërisë civile nisën mbledhjen e firmave për një peticion, me anë të të cilit do t'i kërkojnë presidentit të Republikës dhe parlamentit, që ta shkarkojnë atë nga detyra.

Brenda pak orësh në peticion u hodhën disa qindra nënshkrime nga qytetarë të revoltuar, që shprehën shqetësim për skandalin e Bankës së Shqipërisë, ku një punonjës deklaroi se ka vjedhur mbi 7 milionë dollarë për 4 vjet rresht, dhe deri tani janë arrestuar 10 persona. Javën tjetër peticioni do të nënshkruhet në shumë qytete të tjera të mëdha të vendit.

Qeveria dhe opozita kanë dhënë reagime të pakta për ngjarjen, njëra duke thënë se krimi i rëndë është një sfidë për drejtësinë dhe tjetra se Banka duhet të forcojë masat e sigurisë. Qeveria deklaroi se do të respektojë pavarësinë e Bankës në masat e reja, ndërsa opozita pohoi se do të respektojë dinjitetin e saj.

Ekspertë të pavarur theksojnë se Banka punon prej shumë kohësh pa zëvendës-guvernator dhe pa dy antarë të këshillit mbikëqyrës, që duheshin dërguar nga parlamenti. Ndërsa këshilli mbikëqyrës, i kryesuar nga guvernatori nuk propozoi shkarkimin e tij.

Prokuroria nga ana e saj publikoi sot një njoftim, ku renditen për herë të parë rezultatet e deritanishme dhe pistat e hetimit. Gjykata po mban në arrest me burg 10 persona, të dyshuar për vjedhjen e Bankës, shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Prokuroria po heton nga 21 korriku për të gjetur mekanizmin e vjedhjes, vendndodhjen e parave, pasuritë e të arrestuarve dhe përgjegjësit për ngjarjen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG