Lidhje

Nishani dekreton ambasadorin në Shkup


Kandidatura e Fatos Rekës ishte mbajtur pezull, prej disa muajsh, për shkak të përplasjeve mes presidentit dhe qeverisë. Në takimin e ministrave të Jashtëm të Natos, ministri shqiptar Ditmir Bushati kërkoi hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës

Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, zotin Fatos Reka. Kandidatura e tij ishte mbajtur pezull prej disa muajsh nga presidenti Nishani me arsyetimin se për emërimin e tij ai nuk ishte konsultuar më parë nga ministri i Jashtëm apo kryeministri.

Dekreti i sotëm vjen pas debatesh dhe kritikash të përsëritura ndaj tij, vecanërisht ditët e fundit, kur ambasada e Shqipërisë në Shkup u gjend pa titullarin e saj, ndërsa në Maqedoni tensionet u rritën në fundjavë për shkak të ngjarjeve në Kumanovë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh.

Pikërisht situata e ndezur atje, detyroi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati të emëronte një ditë më parë, një diplomat tjetër, Bashkim Ramën, si të ngarkuar me punë. Ky i fundit pritet të luajë rolin e titullarit edhe për disa kohë, pasi ambasadorit Reka do t’i duhet të presë procedurat e nevojshme diplomatike, të marrjes së agrimentit nga ana e presidentit maqedonas, para se të nisë nga detyra.

Tirana zyrtare përmes disa deklaratave të njëpasnjëshme ka shprehur “shqetësim të thellë për zhvillimet dramatike në Kumanovë”. Këtë shqetësim e ngriti sot edhe ministri i Jashtëm Bushati gjatë diskutimeve për situatën në Maqedoni në takimin e ministrave të Jashtëm të Nato-s në Antalia të Turqisë. Sipas ministrit Bushati, lidhur me ngjarjet e Kumanovës “është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar, për të sqaruar në mënyrë të plotë dhe transaparente atë që ndodhi fundjavën e shkuar”.

XS
SM
MD
LG