Lidhje

Diplomatët reagojnë për zgjedhjen e presidentit Nishani


Ambasada amerikane, europiane dhe OSBE japin deklarata pas seancës parlamentare.

Zgjedhja e zotit Bujar Nishani në detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë solli reagimet e menjëhershme të diplomacive më të rëndësishme në Tiranë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i përcolli “urime të ngrohta zotit Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë”. Në një deklaratë të ambasadës theksohej se në postin aktual dhe ato të mëparshme qeveritare zoti Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

“Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese zotit Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara - deklaroi ambasada e SHBA-së, duke theksuar se - do të mbështesi përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit, për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për t’u integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike”.

Ndërkohë ambasadori Ettore Sequi, shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri “përgëzoi zotin Bujar Nishani për zgjedhjen e tij si President i Republikës së Shqipërisë”. Drejtuesi i zyrës së BE-së në Tiranë, Sequi, shpërndau një deklaratë ku tha se i uronte zotit Nishani suksese si President, post i cili përfaqëson unitetin e popullit. “Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian” - tha ai.

Ndërkohë kryetari i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Uollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Shqipërisë. “Zgjedhja e zotit Nishani si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me praninë e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t'i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive” - tha Ëollfarth.

Reagimet e tre diplomatëve amerikanë, europianë dhe nga OSBE-ja janë ndjekur gjithmonë me vëmendje nga opinioni qytetar, sepse herë pas here ata janë përpjekur të ulin tensione në jetën politike dhe të nxitin mirëkuptimin mes palëve, duke u kujtuar atyre detyrat e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG