Lidhje

Presidenti Nishani drejtoi mbledhjen e parë në KLD


Nënkryetar i KLD-së u zgjodh Elvis Çefa

Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi sot nënkryetarin Elvis Çefa në mbledhjen e parë të drejtuar nga Presidenti i ri i Republikës, Bujar Nishani. Zoti Çefa u zgjodh me votat e gjithë pjesëtarëve të KLD në fund të fjalës së presidentit Nishani, i cili kërkoi rritjen e besimit, respektit dhe goditjen e korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.

“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mbledhje për t’iu adresuar të gjithë atyre gjykatësve, që e konsiderojnë sistemin e drejtësisë së shqiptarëve si burimin, ku mund të mbledhin pasuri, që e konsiderojnë pushtetin e madh e të rëndësishëm gjyqësor si mrekullinë e përfitimit të tyre personal, që Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Presidentin e Republikës do t’i kenë pas si kundërshtarët e tyre më të ashpër” - tha ai.



Zoti Nishani tha se disa gjyqtarë që shkelin rregullat dhe dinjitetin e drejtësisë shqiptare me korrupsion dhe vepra të tjera kanë ulur besimin e qytetarëve tek gjykatat dhe po njollosin një numër të madh gjyqtarësh të ndershëm.

“Tashmë është koha që praktikat në shkelje të hapur të ligjit të bëhen publike dhe të gjithë ata gjykatës, që ia mohojnë drejtësinë qytetarit, të identifikohen nominalisht. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të vendosur një sistem të drejtpërdrejtë dhe transparent të komunikimit me qytetarin për të gjitha rastet e ankesave, shqetësimeve dhe pretendimeve të tyre” - tha ai.

Presidenti Nishani tha se hapi i parë në përmirësimin e gjendjes së drejtësisë është rikthimi i besimit të vetë gjyqtarëve tek vetë sistemi i tyre. Ai tha se i pari do të mbështesë dhe kurajojë gjithë gjyqtarët që punojnë mirë.

“Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të tregojnë se qëndrojnë fort pas çdo gjyqtari të Republikës, që përmbush me korrektësi dhe dinjitet detyrën e tij. Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të garantojnë ruajtjen e integritetit profesional dhe njerëzor të çdo gjykatësi të vendit. Siguroj çdo gjykatës të vendit për qëndrimin tim në krah të tyre, në mbrojtje të personalitetit, dinjitetit, pavarësisë dhe sigurisë profesionale gjatë gjithë kohës së ushtrimit së detyrës prej tyre” - tha ai.

Kjo mbledhje e KLD u prit me interesim nga opinioni publik për shkak se posti i nënkryetarit kishte ngelur bosh nga dorëheqja e paraardhësit pas akuzave për shpërdorim detyre dhe fondesh të institucionit, megjithë një përpjekje e ish-presidentit Topi për ta zëvendësuar, dhe ndërkohë u zgjodh presidenti i ri i Republikës, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG