Lidhje

Tension mes shumicës dhe presidentit Nishani


Në Shqipëri përfaqësuesit e dy grupeve parlamentaretë shumicës u shprehën sot të pakënaqur me konsultimet e zhvilluara me presidentin Bujar Nishani për kandidatin për një vend në Gjykatën e Lartë. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci i quajti ato formale dhe jo në frymën që përcakton sipas tij ligji për Gjykatën e Lartë dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa homologu i tij demokrat Edi Paloka, tha se "të majtët kanë nisur një betejë të hapur ndaj presidenti dhe cdo institucioni tjetër të pavarur".



Përfundimi i takimeve të sotme të drejtuesve të grupeve parlamentare me presidentin Nishani rreth kandidaturës që ai pritet të propozojë për një post të mbetur vakant në Gjykatën e Lartë, paralajmërojnë një tjetër përplasjes mës shumicës dhe kreut të shtetit. Edhe klima që i ka paraprirë nuk ka qenë e favorshme. Një ditë më parë kreu i shtetit dërgoi në Gjykatën kushtetuese edhe vendimin e parlamentit, marrë vetëm me votat e majta, për zëvendësimin e kreut të Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive Zana Xhuka. Ndërkohë që të majtët kishin rrëzuar më parë dy kandidatura të tij për Gjykatën e Lartë, pasi sipas tyre procesi i ndjekur nga presidenti nuk kishte qenë në respekt të ligjit. Por presidenti Nishani e cilësoi vendimin e parlamentit si një truk procedurial.

Edhe sot kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci u shpreh se takimi kishte qenë formal, dhe jo sic kërkon sipas tij ligji dhe interpretimi i Gjykatës kushtetuese: “Fryma e diskutimit nuk ishte në kuadrin e interpretimit që ka bërë Gjykata kushtetuese lidhur me raportet e institucionit të Presidentit me parlamentin. I kuptuar dhe i interpretuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ka theksuar që e drejta kushtetuese e Presidentit për të propozuar kandidatin, me të drejtën e parlamentit për ta votuar duhet të jetë shumë kooperuese. Për fat te keq edhe kësaj radhe nuk ishte kooperuese“.

Në të njejtën linjë por edhe më i drejtpërdrejtë ishte kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili theksoi se kishte vatur në takim “me frymën e bashkëpunimit dhe nevojën e shqetësimin që ti largohemi fiktivitetit dhe formalitetit e të prodhojmë një proces që siguron bashkëpunimin dhe jo riërsëritjen e një procesi ku imponimi nga njëri krah, imponon dhe një reagim të përgjegjshëm të shumicës në anën tjetër sikundër ka ndodhur me dekretet e mëparshme“

Një qëndrim tërësisht të kundërt mbajti përfaqësuesi i grupit të opozitës Edi Paloka, sipas të cilit pozicioni i të majtëve është pjesë e luftës së hapur që sipas tij ata kanë nisur me Presidentin Nishani: “Nuk ka lidhje as me kandidaturat as me emrat apo konsultimeve. Eshtë një luftë që ka nisur me të gjitha institucionet e vecanërisht me presidentin. Unë jam i sigurt se cfarëdo emri që të japë presidenti ata do të dalin kundër”

Kjo përplasje e fortë mes palëve rrezikon të jetë me pasoja për aktivitetin e Gjykatës së Lartë, nëse nuk do të gjendet një zgjidhje që do të bënte të mundur votimin në sallë të kandidaturave, duke qenë se për këtë Gjykatë duhet të propozohen edhe dy kandidatë të tjerë pas rrëzimit të propozimeve të mëparshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG