Lidhje

KLD shkarkoi kryegjyqtarin e Pukës pas dyshimeve për korrupsion


Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkarkoi në mbrëmje kryetarin e gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, pas dyshimeve të publikuara në media për korrupsion. K.L.D. liroi zotin Lleshi nga detyra me shumicë votash në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku mori pjesë presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Kërkesën për këtë shkarkim e paraqiti zëvendës-kryetari i Këshillit, Elvis Cefa. K.L.D. vendosi që inspektorati i tij dhe i ministrisë së drejtësisë të verifikojnë dhe informojnë sa më parë mbi veprimtarinë e gjyqtarit Shtjefën Lleshi. Njëkohësisht u vendos që kryetar i gjykatës së Pukës të jetë përkohësisht Bib Ndreca, gjyqtar në Tropojë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha në fillim të mbledhjes se media publikoi një akt korruptiv, i dyshuar si bashkëpunim korruptiv i elementëve të caktuar në prokurorinë dhe gjykatën e Pukës. “Ky akt paraqet anën më të errët për një prokuror dhe një gjyqtar në sistemin e drejtësisë. Ngjarja e ndodhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë meriton pa diskutim një hetim penal, paralelisht me hetimin administrativ” - tha zoti Nishani. Zoti Nishani tha se K.L.D. dhe Gjykata e Lartë po sulmohen për të dekurajuar gjyqtarët gjatë punës, duke theksuar se nuk mund të akuzohet i gjithë sistemi i drejtësisë për hir të disa gjyqtarëve të korruptuar.

Televizioni Top Channel dhe programi Fiks Fare transmetuan disa ditë më parë video ku një radhë ndërmjetësish në Pukë dhe Fushë Arrëz kërkonin rryshfete në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të liruar persona të ndryshëm nga akuzat gjyqësore. Prokuroria e përgjithshme pezulloi drejtuesin e prokurorisë atje dhe nisi hetimet me një grup të posaçëm nga kryeqyteti, ndërsa ministria e drejtësisë shkarkoi sekretaren dhe kancelaren e gjykatës së atij qyteti.

Në të njëjtën kohë dhe për një çështje tjetër që lidhet me dyshime për shkelje ligjore dhe ndërtime pa leje, qeveria vendosi të shpronësojë për interesa publike të gjithë pronat e paluajtshme në zonën e Ujit të ftohtë në Vlorë. Gjatë një mbledhje në mbrëmje, qeveria vendosi të kryejë rehabilitimin mjedisor në zonën e njohur të tunelit në bregdetin e Vlorës, duke shpronësuar pronat private me vlerë të plotë brenda muajit dhjetor të këtij viti në përputhje me dokumentat e pronësisë. Ky vendim i qeverisë erdhi menjëherë pasi ministri i brendshëm denoncoi për shkelje ligjore me lejen dhe me rregullat ndërtimore pallatin Jon, i ngritur në zonën pranë tunelit, e cila është shpallur zonë e mbrojtur dhe ku pritet të fillojnë shpronësimet.

Ky pallat u rrethua nga policia disa ditë më parë si ndërtesë e parregullt, pasi u gjetën shkelje të ndryshme. Gjykata administrative vendosi të heqë bllokimin për banorët e parë që kanë filluar të hyjnë në të, ndërsa hetime dhe verifikime teknike dhe ligjore vazhduan më tej. Pallati në fjalë është denoncuar nga inspektorati i ndërtimit për shkelje ligjore qysh kur ka nisur themelet dy vjet më parë, por punimet vazhduan deri në fund, ndonëse për ato shkelje inspektorët ngritën padi gjyqësore kundër kryetarit dhe bashkisë së Vlorës, të cilët ndërkohë janë në proces gjyqësor edhe për dy pallate të tjerë me dyshime për parregullsi dhe falsifikime dokumentash.

Presidenti, parlamenti, gjykata e lartë, prokuroria dhe qeveria; të gjithë së bashku po deklarojnë se korrupsioni mund të luftohet shumë më mirë me bashkëpunim më të ngushtë midis institucioneve shtetërore. Megjithatë, përveç ndonjë zyrtari periferik në qytete të ndryshme, gjykatat nuk kanë në duar ndonjë proces gjyqësor të rëndësishëm me zyrtarë të lartë që abuzojnë me pushtetin dhe me fondet publike. Ndërkohë perceptimi i qytetarëve për nivelin e korrupsionit në administratën publike është përkeqësuar sërish këtë vit.

Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit, që publikoi organizata Transparency International, Shqipëria ka zbritur edhe 3 vende më poshtë në një renditje botërore shtetesh, duke zënë vendin e fundit në Ballkan dhe në Europë. Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian pritet të mblidhet para fund-vitit që të vendosë nëse do t'i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, për të cilën ka kërkuar prova konkrete në luftën kundër korrupsiont dhe kriminalitetit në vend. Skepticizmi i disa prej vendeve anëtare për kandidaturën e Shqipërisë mbështetet pikërisht tek mungesa e rezultateve në luftën ndaj korrupsionit.

XS
SM
MD
LG