Lidhje

Nishani, kritika të forta kryeministrit


Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani sulmoi sot ashpër kryeministrin Edi Rama i cili sipas synon të ketë një pushtetet të pakufizuar. Më anë të një deklarate, kreu i shtetit reagoi ndaj komenteve të dy ditëve më parë të kryeministrit Rama mbi marrëdhëniet e qeverisë me presidentin. Qeveria, shkruan zoti Nishani, kërkon një president, një prokuror, një sistem drejtsië dhe një këshill të Lartë të Drejtësisë jo të reformuar, por të komanduar nga kryeministri. Reagimi i kreut të shtetit vjen në një moment përpasjeje të ashpër mes qeverisë dhe KLD-së, ndërkohë që sot nisi dhe shqyrtimi i disa ndryshimeve që shumica propozon për funksionimin e këtij Këshilli.

Nishani kritika ndaj ligjit per KLD
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

“Ne nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, por ne në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk iu kemi dhënë shqiptarëve më shembullin e vjetër të degraduar dhe njëkohësisht degradues për shoqërinë dhe për shtetin tonë të një marrëdhënieje joetike sharjesh, akuzash dhe përpjekjesh për të diskriminuar institucionin e Presidentit të Republikës”.

Kjo deklaratë e dy ditëve më parë e kryeministrit Rama është bëra shkas për një reagim të fortë të presidentit Bujar Nishani. Një reagim i cili shkon përtej atij komenti të kryeministrit, duke përfshirë një sërë cështjesh që kanë përplasur kohët e fundit kreun e shtetit me qeverinë.

Duke iu referuar disa herë termit “lumturi” të përdorur nga zoti Rama, presidenti shkruan se nëse “Kryeministri e sheh atë të projektuar në horizont duke cënuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste”.

Zoti Nishani shton më tej se ushtron “detyrën e Presidentit si përgjegjësi sublime ndaj vendit dhe popullit, duke patur referencë të patjetërsueshme ligjet e vendit dhe qëllim progresin e gjithanshëm të tij dhe sigurisht jo trishtimin, melankolinë apo lumturinë e politikanëve të veçantë”.

Presidenti më pas i referohet mediave kur shprehet se “Kryeministri dhe qeveria e kryesur prej tij përgatisin projekt ligje dhe votojnë ligje që cënojnë kompetencat e Presidentit të Republikes në kërkim të një pushteti të pakufizuar. Qeveria – nënvizon ai - mesa duket dëshiron një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD jo të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri”, duke e konsideruar këtë një “ëndërr të keqe” dhe “një vizion të frikshëm”. Reagimin e tij presidenti e mbyll duke theksuar se e siguron kryeministrin dhe “këdo tjetër se do të vazhdojë të mbetet i palumtur në ambicien politike për të grumbulluar rreth vetes pushtet të pakufizuar në kurriz të demokracisë shqiptare”.

Marrëdhëniet mes kreut të shtetit dhe qeverisë kanë qenë gjithnjë të tendosura. Kohët e fundit ato janë acaruar dhe më tej, për shkak të refuzimeve të shumicës për propozimet e kandidaturëve të presidentit për gjyqtarë në Gjykatën e lartë, për ligjet për ushtrinë e deri te konflikti i ashpër mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Pikërisht sot shumica nisi shqyrtimin edhe të disa ndryshimeve në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilat parashikojnë ndër të tjera, edhe shkarkimin e anëtarëve të KLD-së në rast se ata shkelin ligjin. Ndryshimet e propozuara janë kundërshtuar nga Këshilli i lartë i Drejtësisë i cili shprehet se ato synojnë zvogëlimin e kompetencave të tij. Në letrën dërguar komisionit të Ligjeve nga nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa, thuhet se “e meta kryesore e këtij projektligji, në vlerësimin e anëtarëve është fakti se ka probleme të rënda kushtetuese” e se “cënon parimin e ndarjes së pushteteve” e për pasojë kërkon që të ndalojë “ky proces, i cili mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme”. Por përfaqësuesit e shumicës shpjegojnë se synimi, është përcaktimi i procedurave të shkarkimit të anëtarëve të Këshillit dhe disa rregullave që do ta bënin më transparente dhe efikase veprimtarinë e këtij institucioni, duke parashikuar edhe afate kohore brenda së cilave duhet të ndërmerren veprime të caktuara.

Nga ana e saj ndërkohë, partia demokratike ka përdorur tone alarmante. Sipas saj, ndërhyrjet në ligjet për Drejtësinë “kanë vetëm një qëllim, gjunjëzimin e sistemit” dhe “minojnë garancitë kushtetuese që qytetarët kanë përballë një qeverie që shkel ligjet”, deklaroi sot deputeti demokrat Eduard Halimi.


XS
SM
MD
LG