Lidhje

Presidenti Nishani u bashkohet veprimtarëve pro mjedisit


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vizitoi sot kantierin e ndërtimit në mes të parkut të liqenit artificial për të ndjekur nga afër punimet e këndit të lojërave dhe për t'u dhënë kurajo veprimtarëve të mjedisit, që i ku ndërshtojnë ato punime.

Presidenti Nishani takoi qytetarët, që po protestojnë prej afro 2 muajsh dhe u kërkoi të mos humbin shpresën për një kryeqytet më të pastër larg betonizimit, duke e quajtur ndërtimin atje një akt vandalizmi.

Zoti Nishani tha se të rinjtë pro mjedisit, si pjesë e lëvizjes qytetare, duhet t'i rezistojnë vandalizmit dhe vandalëve. Zoti Nishani tha se beteja e civilizimit me vandalizmin nuk është e lehtë, protestat qytetare përballë dhunës verbale dhe fizike janë të vështira.

Bashkia e Tiranës zhvillonte në të njëjtën kohë një veprimtari tjetër ku kryetari i saj, Erjon Velija pohoi se hapi i hedhur sot nga presidenti Nishani cënonte projektet e pushtetit vendor për zhvillim dhe ishte jashtë detyrave si drejtuesi më i lartë i shtetit.

Disa dhjetëra veprimtarë të mjedisit kanë afro dy muaj që po protestojnë kundër ndërtimit në mes të parkut të liqenit artificial të një këndi lojërash, i cili, sipas tyre, ka marrë shumë hapësirë me konstruksione betoni dhe prerje pemësh.

Shumë prej tyre janë arrestuar në protesta të mëparshme dhe janë liruar më pas ndërsa firma ndërtuese ka punuar me shpejtësi gjatë natës, duke derdhur aty së paku 70 betoniere, pohojnë veprimtarët, ose afro 695 ton beton.

Ata po qëndrojnë aty ditë e natë së paku për të dokumentuar dëmin që po i bëhet natyrës së kryeqytetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG