Lidhje

Presidenti Nishani nderon një numër shqiptaro-amerikanësh

  • Ilir Ikonomi

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nderoi mbrëmë në Nju Jork një numër shqiptaro-amerikanësh që janë dalluar për arritje në fusha të ndryshme dhe kanë ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve të vendit amë me Shtetet e Bashkuara. Zoti Nishani ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe për takime me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Presidenti Bujar Nishani pati një tjetër takim me komunitetin shqiptar të Amerikës, ku nderoi disa prej atyre që kanë dhënë kontribut në përpjekjet e diasporës për të ndihmuar vendet amë dhe për të forcuar marrëdhëniet me SHBA.

Ai tha se dëshironte që ta vazhdonte këtë traditë takimesh me komunitetin edhe tani që është në mbarim të mandatit si President:

“Ju çdo ditë të punës dhe të jetës suaj këtu në SHBA, përveç të tjerave, arritjeve, punës, sfidave, keni dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar, të mos e harrosh vendin tënd të origjinës.”

Ai tha se shqiptarët e Amerikës e kanë ndihmuar vendin e tyre me mënyra të ndryshme:

“Kush më shumë e kush më pak, dikush me miqësitë e tij në nivele të larta të politikëbërjes amerikane, dikush me miqësi në botën e medias, dikush tjetër me kontribute financiare, keni dhënë për shqipërinë dhe shqiptarët një kontribut të jashtëzakonshëm.”

Presidenti Nishani nderoi me Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut:

- Ish-drejtorin e sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli

- Pronarin e gazetës Illyria, Vehbi Bajrami

- Gruan e parë shqiptaro-amerikane të zgjedhur në shtetin e Nju Jorkut, Lisa Milicaj

- Personalitetin e dalluar të qëndresës antikomuniste, Musli Mulosmanaj

- Veprimtarin e hershëm të çështjeve shqiptare, Sami Repishti, po ashtu i dalluar në qëndresën antikomuniste

- Zotin Luis Fundo, për kontributin e tij në fillimin e marrëdhënieve tregtare Amerikë-Shqipëri

Me titullin mjeshtër i madh u nderua këngëtari Gëzim Nika, ndërsa me dekoratën Nderi i Kombit, regjisori Stan Dragoti.

Dy përfaqësues të shoqatës së policëve shqiptarë në SHBA, Ylli Dautaj dhe Elton Shametaj i dhuruan presidentit Nishani Medaljen e Kristaltë të shoqatës, në të cilën bëjnë pjesë rreth 250 oficerë policie.

Frank Shkreli, ish-drejtues i lartë i Zërit të Amerikës thotë se është mirënjohës për medaljen që i dha presidenti shqiptar dhe kujton nga vitet e tij të punës se Amerika ka qendruar pranë shqiptarëve edhe në kohët më të vështira:

“Unë e di që kjo ndodhte edhe në kohën e regjimit komunist, kur nuk kishte kurfarë marrëdhëniesh midis Uashingtonit dhe Tiranës. Çdo 28 nëntor, ne në Zërin e Amerikës në atë kohë merrnim një deklaratë ose një intervistë me një zyrtar të lartë të DASH. Në çdo rast, megjithë armiqësinë që vinte në atë kohë nga Tirana komuniste, zyrtarët amerikanë theksonin miqësinë e vjetër shqiptaro-amerikane, pa marrë parasysh regjimin në Tiranën e asaj kohe dhe vazhdimisht shprehnin shpresën se, eventualisht, dy popujt do t’i vendosnin përsëri marrëdhëniet tamam ashtu siç janë sot.”

Gëzim Nika, është këngëtar mjaft popullor në trojet shqiptare, i njohur sidomos për këngën “Shqipëri o nëna ime”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG