Lidhje

Nisin konsultimet për prokurorin e ri


Bujar Nishani
Bujar Nishani

Opozita socialiste kundër presidentit Bujar Nishani: “Atentat antikushtetues. Mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon në maj të 2013”

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani nisi sot konsultimet me forcat politike parlamentare për të diskutuar rreth prokurorit të ri të përgjithshëm duke vlerësuar se prokurorja aktuale Ina Rama mbyll mandatin 5 vjecar më 22 nëntor. Socialistët kundërshtuan nismën e presidentit duke e cilësuar atë si një atentat kushtetues, të frymëzuar nga kryeministri Sali Berisha. Ata i mëshojnë idesë së mandati I prokurores Rama përfundon në maj të vitit të të ardhshëm kur mbushen 5 vjet nga ndryshimet kushtetuese të cilat përcaktuan dhe afatin kohor për prokurorin e përgjithshëm


Ndonëse publikisht evitoi të përfshihej në debatin për kohën e skadimit të mandatit të prokurores së Përgjthshme Ina Rama, qëndrimet e tij kritike ndaj veprimtarisë së organit të akuzës në deklarimet e para pas zgjedhjes si kryetar shteti, lanë të kuptohet qartë se presidenti Bujar Nishani do të zgjidhte variantin sipas të cilit zonja Rama duhet të dorëzojë detyrën më 22 nëntor, 5 vjet pas emërimit në atë post. Dhe sot, presidenti nisi konsultimet me forcat parlamentare për prokurorin e ri, duke tërhequr sërish mbi vete zemëratën dhe akuzat e opozitës.

Në përfundim të takimit në presidencë kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci tha se mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundonte sipas tij në maj të 2013: "PS ka pikëpamjen se mandati i Prokurores së përgjithshme nuk mbaron më 22 nëntor, kur plotësohet 5 vjet në detyrë, por mbaron më 23 maj të 2013, pikërisht në datën që ka hyrë në fuqi ndryshimi kushtetues që kufizon mandatin e prokurorit të përgjithshëm”.

Nga selia e partisë socialiste në mbledhjen e grupit të tij parlamentar, kryetari Edi Rama foli me një gjuhë më të ashpër duke e konsideruar shkarkimin e zonjës Rama një atentat kushtetues të orkestruar sipas tij nga kryeministri Sali Berisha: "Kjo është porosia antikushtetuese e kryeministrit, që po e zbaton ministria e presidencës. Ky është një hap tjetër rrënues për jetën institucionale të vendit dhe një thellim në rrugën rrënuese të kapjes së institucioneve”.

Sipas zotit Rama kryeministri ishte përpjekur që të nënshtronte prokurorinë si përmes presioneve ashtu dhe përmes parasë "pa ja dalë dot", tha ai. Në të vërtetë marrëdhëniet mes kryeprokurores Ina Rama dhe shumicës morën shpejt kthesën drejt përplasjeve, pas superlativave që shoqëruan momentet e para të zgjedhjes së saj. Hetimet ndaj disa ministrave të kabinetit të kryeministrit, që në një pjesë të mirë nuk përfunduan në gjykatë, por sidomos cështja e 21 janarit, krijuan një raport të pariparueshëm dhe institucioni i prokurorisë ka qenë objekt i akuzave mjaft të rënda nga e djathta.

Tani mbetet për t’u parë profili që do të ketë zëvendësuesi. Përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare këmbëngulën në disa kritere të përgjithshme si eksperienca profesionale, integriteti moral apo mungesa e lidhjeve me të shkuarën dhe me politikën.
XS
SM
MD
LG