Lidhje

Tiranë: Presidenti dërgon në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e Pronave


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vendosi të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, ndërsa parlamenti e votoi për herë të dytë atë pasi ai e ktheu për rishqyrtim.

Presidenca njoftoi se zoti Nishani e ktheu ligjin në parlament me shpresën për një debat më serioz, profesional dhe të kujdesshëm rreth tij.

Sipas presidentit Nishani, ky ligj cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Ai theksoi se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ndikon drejtpërdrejt në përparimin e vendit ndaj është përcaktuar si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Qeveria shqiptare u angazhua për të trajtuar çështjen e pronarëve, me synimin për ta eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike, dhe për të sjellë barazi të të gjithë pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë.

Ligji i ri ndeshi në kundërshtimet e menjëhershme të shoqatave të pronarëve, sepse sipas tyre, formula e re zhvlerëson nga dhjetë deri në njëqind fish pronat dhe kompensimet e tyre.

Pronarët vazhdojnë ta hedhin në gjyq qeverinë shqiptare në Gjykatën Europiane për të Drejta Njerëzore për të fituar pronat e tyre.

Shumica dërrmuese e tyre po i fitojnë këto gjyqe, ndërsa gjykata po e ngarkon qeverinë përherë e më të madhe për t'u kthyer dhe kompensuar pronat, të cilat pronarët nuk i marrin dot me ligjet ekzistuese të Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG