Lidhje

Presidenti Nishani kërkon rrëzimin e ligjit të pronave si antikushtetues


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin "për trajtimin e pronës dhe përfundimin e kompensimit të pronave" si dhe pezullimin e zbatimit të tij.

Presidenti vlerëson se skema e ofruar në këtë ligj për kompensimin e pronarëve bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive siç e kërkon Gjykata Europiane për të Drejtat Njerëzore.

Qeveria propozoi këtë ligj për të zgjidhur çështjen e pronarëve të vjetër, duke eliminuar në praktikë zvarritjet burokratike, për të sjellë barazi mes gjithë ish-pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, për një shpërblim të drejtë.

Qeveria synoi të gjejë një balancë mes interesit publik dhe të drejtës së pronës, brenda mundësive të shtetit social.

Ligji pretendohet nga qeveria se sjell një formulë efikase dhe realiste për kompensimin e pronarëve, një afat të arsyeshëm dhe të përcaktuar kohor për përfundimin e të gjithë procesit, një zgjidhje të drejtë, duke respektuar normat kushtetuese për të gjithë pronarët, por gjithashtu edhe për të gjithë qytetarët, duke mbajtur në konsideratë interesin publik.

Ligji u miratua në 5 dhjetor 2015 me 78 vota nga parlamenti. Presidenti Nishani e ktheu atë për rishqyrtim në parlament. Por ai rrëzoi dekretin e presidentit dhe ligji u miratua dhe u botua në Fletoren Zyrtare në fillim të shkurtit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG