Lidhje

Nishani: Qeveria të ndërpresë sulmet politike


Vazhdojnë tensionet me shumicën e majte. Në një shkrim të botuar sot në të përditshmet shqiptare, Presidenti lëshon kritika të forta ndaj ekzekutivit.

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani lëshoi kritika të forta ndaj qeverisë duke i kërkuar asaj “të ndalojë sulmet ndaj kreut të shtetit dhe shantazhet ndaj sistemit gjyqësor”. Qëndrimin e tij presidenti Nishani i ka shprehur në një shkrim të gjatë të publikuar sot prej tij në gazetat kryesore të vendit. Prej një kohe të gjatë, marrëdhëniet mes shumicës së majtë dhe kreut të Shtetit mbeten të tensionuara dhe palët po shkëmbejnë replika të shumta

Në editorialin e tij me titullin “Mbi përjegjësitë” presidenti Nishani flet fillimisht mbi dallimet mes sistemeve demokratike dhe diktatoriale. “Mosmarrja dhe moszbatimi i përgjegjësive në Demokraci, është fatale. Pa mbajtjen e përgjegjësive prej secilit individ, Demokracia nuk ekziston. Mosmarrja e përgjegjësive është ajo cilësi rrënuese që Demokracinë e denatyron, e hedh pak nga pak në humnerë dhe rrezikon që ta kthejë në një episod tepër të rrezikshëm dhe të frikshëm: në diktaturë” shkruan presidenti. Ai shton më tej se “transferimi i përgjegjësisë nga një individ tek një tjetër individ, ose nga një institucion tek një tjetër institucion, me të gjitha kombinimet e shumta në mes, është një ping-pong individual dhe institucional tepër i rrezikshëm”, duke ju referuar dy letrave radhazi që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i ka dërguar atij ditët e fundit në cilësinë e kreut të Këshillit të Lart të Drejtësisë, ndërsa i ngre shqetësimin për vendimet e marra nga disa gjykatës të cilët sipas tij kanë lënë të lirë, pa argumenta, persona të konsideruar të rrezikshëm. Rasti më i fundit ishte ai i një personi të dyshuar për vrasje, i cili ishte liruar nga Gjykata e Apelit shkurtin e kaluar, ndërsa javën e shkuar u vra në një atentat së bashku me një mikun e tij.

Sipas Presidentit Nishani “ministri i Brendshëm në mënyrë të përsëritur ka tentuar të transferojë përgjegjësitë nga vetja tek Presidenti i Republikës. Ajo që më së shumti bie në sy në këtë rast është diçka joserioze, e padenjë, banale: Ministri, në pamundësi të frenojë institucionalisht dhe individualisht fluksin e krimeve që po ndodhin, përmes transferimit të përgjegjësisë tek Presidenti, rreh të pakësojë fluksin e kritikave që po i bëhen”, shkruan Kreu i shtetit i cili vazhdon me kritikat ndaj ministrit të Brendshëm. “Fakti që ndërkohë që duhet të jetë dhe duhet të komunikojë si ekspert që zbaton Ligjin, po reagon dhe komunikon si njeri i medias, është një lëvizje manipulative trashanike”, shprehet zoti Nishani, duke shtuar më tej se “nuk i falet Ministrit të mos e dijë se Drejtësia, ajo që është, ashtu si është, dhe gjithçka që lidhet më të, duhen respektuar pa asnjë mëdyshje, pa asnjë hezitim, sado të këqija apo të padrejta të duken. Respektimi i Drejtësisë, dhe përpjekjet për ta përmirësuar Drejtësinë, të cilat Ministri i bën lëmsh, janë dy gjëra të ndryshme që kurrsesi nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. Pretendimi për ta përmirësuar Drejtësinë duke mos e respektuar, është një gabim shumë i madh, tejet i dëmshëm, tepër i rrezikshëm, që nuk i lejohet absolutisht askujt, e jo më një ministri. Pretendimi për ta identifikuar Presidentin e Republikës me Drejtësinë në përgjithësi, është një sulm politik, një "naivitet" malinj i pashoq”, shkruan kreu i Shtetit.

Sipas presidenti Nishani “Ministri i Brendshëm nuk mund të "gjykojë" një vendim Gjykate. Aq më pak kur rastet në fjalë janë ende në gjykim. Është i pari rast në historinë e Shqipërisë post-diktatoriale që një Ministër i Brendshëm "gjykon" një vendim Gjykate, dhe nuk e le ta bëjë këtë një Gjykatë më e lartë”, shprehet presidenti ndërsa shton se “Policia e Shtetit të përmbushë detyrat e saj duke bërë sa mundet në parandalimin e krimeve, mes tjerash, si në rastin në fjalë, duke mbajtur në mbikëqyrje personat ende në gjykim. Për verifikimin e shkeljeve procedurale në gjykata, Qeveria të mos aktivizojë Ministrin e Brendshëm, por atë të cilit i përket kjo detyrë, Ministrin e Drejtësisë”.

Në mbyllje të shkrimit të tij kreu i Shtetit kërkon që “Qeveria të ndalë urgjentisht shantazhimin e gjyqtarëve nga Ministri i Brendshëm. Qeveria të ndalë urgjentisht sulmet politike ndaj Presidentit të Republikës, roli kryesor i të cilit në këtë mes nuk është t’u përgjigjet letrave të hapura kundër "gjyqtarëve të lidhur me krimin" që të kujtojnë stahanovizmin sovjetik, Daci Bao-t maoceduniane, Fletë Rrufetë enveriste, por ai i garantit për të mos lejuar interferimin e Drejtësisë me pushtetet e tjera, dhe mbrojtjen nga rreziku i kapjes së saj nga grupet e interesit”.

Përplasjet mes palëve kanë nisur prej kohësh, dhe janë shtrirë në cështje të ndryshme, që nga ato për rëzimin nga ana e shumicës të kandidaturave të zotit Nishani për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, te refuzimi nga ana e presidentit për dekretimin e disa ambasadorve, te debati lidhur me Shërbimet sekrete, te emërimet dhe lëvizjet në fushën e Mbrojtjes, apo së fundi edhe mbi ndryshimet e pritshme që ministri e Mbrojtjes propozon në ligjin për Komandimin e Forcave të armatosura, të cilat duket se prekin disa kompetenca të presidentit, një pjesë e të cilave parashikohet t’i kalojnë kryeministrit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG