Lidhje

Presidenti Nishani nderon çlirimin e Shqipërisë


"Kontributi i të gjithë atyre që nga ngritja e Flamurit e deri në ditët e sotme është një kontribut që nuk ka shkuar kot”, tha zoti Nishani

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe disa parti politike të majta përkujtuan sot me nderime ditën zyrtare të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazistë gjatë luftës së dytë botërore. Presidenti Nishani tha se meritojnë nderime të veçanta të gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Zoti Nishani tha se qëllimi dhe idealet e tyre për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur janë sot të plotësuara më shumë se kurrë më parë.

“Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë një vend e një komb i lirë. Sot Shqipëria është aleate reale e NATO-s, e botës së madhe të Perëndimit, e aleatëve tanë të mëdhenj edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot Shqipëria ecën e sigurtë drejt integrimit në familjen evropiane. Prandaj sot më shumë se kurrë, ne kemi ç’t’u themi të gjithë brezave që vijnë. Kontributi i të gjithë atyre që nga ngritja e Flamurit e deri në ditët e sotme është një kontribut që nuk ka shkuar kot”- tha zoti Nishani.



Ndërsa kryetari i partisë socialiste të opozitës, Edi Rama, tha se “çlirimi i Shqipërisë erdhi nga njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për idealet, ndaj është një ditë e rëndësishme kuptimplote për të shkruarën dhe për të ardhmen”. Në ceremonitë për nderim të 29 nëntorit mori pjesë edhe LSI, një parti e majtë pjesëmarrëse e koalicionit të djathtë qeveritar.

Partia Demokratike e feston çlirimin e Shqipërisë në 28 nëntor, duke e quajtur atë si ditën e dëshmorëve në të gjithë historinë e vendit, ndërsa 29 nëntorin si një datë e improvizuar nga komunistët shqiptarë për servilizëm ndaj komunistëve serbë. Gjatë 20 viteve të pluralizmit politik dy partitë kryesore politike kanë debatuar gjatë lidhur me vlerësimin e 29 nëntorit. Duke u kthyer periodikisht në pushtet, ato heqin dhe vendosin ligje të ndryshme për të rivlerësuar këtë datë në historinë e vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG