Lidhje

Nishani, tryezë për reformën në drejtësi


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani organizoi sot në Tiranë një Konferencë mbi reformimin e sistemit të drejtësisë. Autoritetet më të larta të shtetit dhe politikës shqiptare diskutuan sot në konferencën e organizuar nga presidenti së bashku me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare mbi reformën në drejtësi. Presidenti Nishani tha se reformimin e sistemit gjyqësor po e kërkojnë jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe Bashkimi Europian, para se të ecim më tej me integrimin. Sipas tij, reforma duhet të kryhet duke ndjekur përcaktimet e Kushtetutës.

​Kryetari i Parlamentit Ilir Meta tha se ligjvënësit janë gati të punojnë me reformën, dhe se ajo ka nevojë për mirëkuptim dhe kontributin e opozitës. Kryeministri Edi Rama foli me shqetësim për nivelin e lartë të korrupsionit në radhët e gjyqtarëve dhe për hapa të vendosur në këtë reformë, për të ndryshuar gjendjen sa më parë. Ndërsa kryetari i PD-së Lulzim Basha shprehu dyshimet se nën petkun e reformës, qeveria po përpiqet të gjunjëzojë drejtësinë, ndaj nevojitet një këshillim dhe vëzhgim i afërt ndërkombëtar.

Nga ana tjetër përfaqësuesit ndërkombëtarë u bënë thirrje udhëheqësve shqiptarë të përfshihen me përkushtim në reformën e drejtësisë. Florian Rauning, drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri tha se të gjithë aktorët e reformës duhet të kenë të njëjtin vizion për të dhe frymë kompromisi. Ndërsa i Ngarkuari me Punë i SHBA-ve në Shqipëri, Henry Jardine, tha se reforma gjyqësore mund të kryhet vetëm nëpërmjet një procesi përfshirës, të besueshëm, jopolitik.

"Qeveria duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Europian në mënyrë që të ndiqet Udhërrëfyesi. - tha zoti Jardine. - ndërsa roli i Komisionit të Venecias do të jetë jetik. - Dëshirojmë të shohim që partitë politike të bëhen bashkë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake; të punojnë - jo për avantazhe politike - por për interesin e qytetarëve shqiptarë. Pjesë e këtij diskutimi duhet të jetë edhe shoqëria civile. Shtetet e Bashkuara, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, do të qëndrojnë bashkë me ju, në përpjekjet tuaja për të siguruar sundimin e ligjit në Shqipëri, - por kërkojnë që edhe partnerët shqiptarë t'i përkushtohen procesit të një reforme gjyqësore thelbësore dhe të efektshme".

Reforma në drejtësi është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Europian. Zhan Erik Pake, drejtor i zgjerimit per Ballkanin ne KE, theksoi edhe një herë detyrat e Shqipërisë për integrimin, lufta nga krimit të organizuar dhe korrupsonit, respektimi i të drejtave njerëzore. "Shqipëria ka shfaqur angazhimin e vet për reformën në drejtësi, duke ndjekur kërkesat e Udhërrëfyesit, dhe negocitatat me Komisionin e Venecias. Disa rezultate janë shfaqur në punën për të përmirësuar gjendjen në sistemin e drejtësisë, megjithatë nevojiten më shumë rezultate dhe një reformë, sipas një koncepti të përbashkët, ndonëse kundërshtimet vazhdojnë. Bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja ishin kërkesat kryesore nga gjithë folësit në konferencën e organizuar nga presidenti, frytet e të cilës pritet të vijnë pas një pune të afërt nga ekspertët dhe ligjvënësit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG