Lidhje

Takimi Nishani - Rama


Ndërsa KQZ vazhdon të miratojë ditë pas dite e dy nga dy tabelat e rezultateve zgjedhore sipas qarqeve së bashku me mandatet e deputetëve, dy partitë kryesore në Tiranë po përparojnë me kalimin sa më normal të pushtetit, duke u përshtatur me realitetin e ri që sollën votimet e 23 qershorit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi sot për fitoren e zgjedhjeve parlamentare kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe për suksese në zbatimin e programit politik fitues, që synon të ardhmen europiane të Shqipërisë. Sipas njoftimit të shkurtër nga presidenca, zotërinjtë Rama e Nishani shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Në të njëjtën kohë, kryetari i dorëhequr i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje anëtarëve që të lënë mënjanë sjelljet si parti në pushtet. Zoti Berisha i bëri këto komente në një mbledhje ku u shqyrtuan kandidaturat për postin e kryetarit të PD-së, pas dorëheqjes së tij një javë më parë në castin që njohu humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe hapi garën për drejtues të rinj dhe një fillim të ri të demokratëve në opozitë, në mënyrë që të kthehen në pushtet me një program fitues.
Sot ishte afati i fundit që politikanë të PD-së të vetëshpallnin ambicjet për të konkurruar për postin e kryetarit. Kandidatët më të rëndësishëm janë kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe ministri aktual i transporteve, Sokol Olldashi. Të dy kandidatët kanë shumë pika të përbashkëta; të dy kanë konkurruar për bashkinë e Tiranës me kryeministrin e ardhshëm Edi Rama, të dy kanë qenë ministra të brendshëm, të dy kanë qenë ministra transporti, të dy kanë patur gjatë karrierës mbështetjen e pakufizuar të kryeministrit Sali Berisha, të dy janë anëtarë të kësaj kryesie, pjesa dërrmuese e të cilës pohoi që nuk kandidon sepse ndjejnë përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve.
Zoti Olldashi humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës përballë zotit Rama të PS-së, edhe pse drejtoi një komision hetimor parlamentar, që gjurmoi abuzimet e dyshuara me fondet e bashkisë socialiste. Nëse garën do ta fitojë zoti Basha, duke mos qenë deputet, mbetet që ai ta drejtojë partinë demokratike nga bashkia, njëlloj si bëri zoti Rama për disa vjet. Gjithsesi kjo është hera e parë që PD do ta zgjedhë kryetarin e saj me parimin një anëtar një votë.
XS
SM
MD
LG