Lidhje

Nishani kthen reformën territoriale

  • Armand Mero

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani i riktheu sot parlamentit reformën administrativo-territoriale të miratuar më 31 korrik. Në dokumentin që shoqëron dekretin, presidenti e motivon vendimin e tij me faktin që procesi i hartimit të reformës ka qenë sipas tij jo trasparent dhe nuk ka marrë parasysh mendimin e qytetarëve sikundër kërkon kushtetuta. Por ashtu siç deklaroi edhe dje, kryeministri reagoi duke thënë se dhe parlamenti nga ana e tij do të rrëzojë këtë dekret të presidentit.

Vendimi i sotëm i presidentit Bujar Nishani ishte paralajmëruar që dy ditë më parë, në komentet që ai pati mbi reformën administrativo territoriale gjatë takimit me shoqatën e komunave ku morën pjesë vetëm përfaqësuesit e djathtë. Sot në fakt u mësuan vetëm argumentat mbi të cilat kreu i shtetit vendosi që ta kthejë edhe një herë në parlament këtë reformë, të cilën dhe ai vetë pranon se është shumë e rëndësishme.

Në shpjegimet e tij, presidenti flet për një proces jo transparent ndërsa i referohet pikës së kushtetutës e cila përcakton se “kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”. Dhe për kreun e shtetit kjo nuk ka ndodhur. Për disa muaj me radhë qeveria e më pas dhe komisioni i reformës ndërmorri një tur konsultimesh në të gjithë vendin. Por presidenti Nishani, duke ju referuar dhe relacionit që shoqëron ligjin shprehet se ato kanë qenë “më shumë takime konsultative me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe bizneset, në një kohë kur Kushtetuta kërkon mendimin e popullsisë që banon në zonat që preken nga ndryshimet e kufijve”, shprehet presidenti.

Një tjetër argument kundër, është sipas tij dhe fakti që reduktimi i numrit të njësive vendore dhe zmadhimi i atyre që krijohen “cënon parimet e decentralizimit të pushtetit vendor dhe autonomisë vendore. Ndërkohë që sipas tij hartimi i reformës duhet të ishte paraprirë edhe nga ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e njësive vendore apo dhe nga reforma elektorale.

Me vendimin e sotëm, shkon në 5 numri i ligjeve që presidenti Nishani ka kthyer vetëm ditët e fundit, duke rihapur polemikat me qeverinë. Shumica e majtë siç e konfirmoi edhe dje kryeministri Edi Rama do t'i rivotojë pa ndryshime ligjet e kthyera pas. Këtë qëndrim zoti Rama e përforcoi edhe sot pasi u bë publik vendimi i presidentit për reformën.

Përfaqësues të komunave por edhe opozita e cila nuk mori pjesë në procesin e hartimit të reformës, kanë deklaruar se do të bëjnë edhe ankimim në gjykatën kushtetuese për të penguar zbatimin e saj.

XS
SM
MD
LG