Lidhje

Presidenti Nishani nuk hedh shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, bëri sot të ditur se nuk do të hedhë shortin mbi anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sepse nuk janë miratuar ende ligjet në vazhdim të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Presidenti Nishani deklaroi se ndryshimet e Kushtetutës i japin kompetencën e përzgjedhjes me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e tyre.

Paketa Kushtetuese, që hyri në fuqi 5 ditë më parë, përcakton që përzgjedhjen e 9 anëtarëve të KED-së presidenti duhet ta bëjë me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve pa masa disiplinore.

Kritere të tjera në përzgjedhjen e kandidatëve do të parashikohen në një ligj të posaçëm, i cili nuk është miratuar ende.

“Në mungesë të kritereve të tjera, që do të përcaktohen me ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” - thuhet në njoftim.

Presidenti Nishani theksoi se “ndryshimet kushtetuese, të cilat erdhën me konsensus politik kanë nevojë të shoqërohen nga ligjet e tjera, të cilat vetë Kushtetuta ka referuar dhe që duhet të bëhen pjesë e këtij konsensusi”.

Sipas tij, procesi i përzgjedhjes do të ishte joefektiv, përsa kohë nuk është e qartë se kur do të miratohen ligjet e referuara.

Presidenti Nishani u bëri thirrje palëve politike që të arrijnë sa më parë konsensusin për të miratuar ligjet e tjera të posaçme, pa të cilat Kushtetuta e ndryshuar nuk mund të zbatohet.

Për këtë problem, zoti Nishani organizoi dy tryeza konsultimesh me ekspertë konstitucionalistë dhe me përfaqësues të partive politike.

Komisioni parlamentar i reformës në drejtësi mblidhet nesër në vazhdim të punës me ligjet e reja të kësaj reforme.

Ndryshimet kushtetuese mbi reformimin e drejtësisë u miratuan me 140 vota të plota në parlament në seancën e 21 korrikut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG