Lidhje

Nishani: Për Statusin vendim më realist


Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani deklaroi mbrëmë se ishte pritur një vlerësim më realist i Bashkimit europian lidhur me dhënien e Statusit të vendit kandidat, i cili dhjetorin e kaluar u shty sërish për në muajin qershor. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë pritjes me trupin diplomatik tw cdo fillimviti. Shqipëria shtoi presidenti Nishani do të mbetet megjithatë e angazhuar në plotësimin e reformave të kërkuara sikundër do të vazhdojë kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit

Presidenti Bujar Nishani, shfrytëzoi takimin e fillimvitit me përfaqësuesit më të lartë diplomatike të akredituar në Shqipëri për të shprehur edhe një herë zhgënjimin e Tiranës për mosdhënien nga ana e Bashkimit europian të Statusit të vendit kandidat një muaj më parë: “Shqipëria ka realizuar arritje të konsiderueshme duke garantuar vullnet të qartë dhe të vendosur në vijueshmërinë e masave dhe reformave për integrim evropian të merituar. Për rrjedhojë, shqiptarët prisnin një vlerësim më realist, që do të shërbente edhe si një stimul inkurajues për më tej”.

Presidenti Nishani theksoi se megjithatë asgjë nuk e cënon procesin e integrimit europian: “Qytetarët shqiptarë dhe përfaqësuesit e tyre politikë dhe institucionalë, nuk kanë asnjë dilemë se integrimi evropian mbetet për ta përparësi e padiskutueshme, pa alternativë konkurruese. Shqiptarët janë qytetarë evropianë dhe, si të tillë, pretendojnë dhe meritojnë të jenë “evropianë” me të gjitha efektet”.

Zoti Nishani tha se nga e tij vendi “duhet të vijojë e të provojë se është sa i përgjegjshëm, aq edhe i gatshëm dhe i aftë që të plotësojë të gjitha kushtet dhe të kryejë të gjitha detyrat për arritjen e qëllimit strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Presidenti Nishani tha se vendi do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në rajonin e Ballkanit si dhe të mbështesë faktorin shqiptar: "Qasja jonë rajonale mbetet e pandryshueshme. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe kontributi ynë për shtimin e sigurisë dhe stabilitetit, mbeten përparësi të politikës së jashtme të Shqipërisë, tashmë të dëshmuara edhe në praktikë. Shqipëria gjithnjë ka mbështetur dhe do të mbështesë faktorin shqiptar në Ballkan, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit euroatlantik të vendeve ku ai faktor është i pranishëm”.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi angazhimin e Shqipërisë si një vend i Natos në misionet ndërkombëtare duke siguruar se do të jetë gjthnjë në krah të partnerëve dhe aleatëve të saj, duke vënë në pah marrëdhënien e vecantë me Shtetet e Bashkuara: “Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen shumë popullit amerikan. Asnjë sfidë nuk mund të cenojë sadopak miqësinë dhe partneritetin njëshekullor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kjo fjali e fundit u duk si një referencë ndaj dilemave të ngritura mbi të ardhmen e marrëdhenieve me Uashingtonin, pas Jo-së së Tiranës ndaj propozimit amerikan për të shkatërruar në territorin shqiptar arsenalin kimit të Sirisë.
XS
SM
MD
LG