Lidhje

Nishani kthen ligjin për Turizmin


Sipas kreut të shtetit janë të paktën tre momente ku ligji bie ndesh me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani ktheu sot pas në parlamentin ligjin për Turizmin, të miratuar në fund të muajit të shkuar vetëm me votat e shumicës së majtë. Sipas kreut të shtetit janë të paktën tre momente ku ligji bie ndesh me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi që nga fondi për promovimin e sektorit I cili parashikohet të përdoret duke anashkaluar procedurat e prokurimit, te e drejta e qeverisë për të marrë sipërfaqet në pronësi të pushtetit vendor në rastet e projekteve të mëdha strategjike.

​Seanca parlamentare e 27 korrikut të shkuar ku u miratua dhe ligji për turizmin u shoqërua me debate të shumta mes shumicës dhe opozitës, e cila votoi kundër projektit të qeverisë. Në atë kohë përfaqësuesit e së djathtës folën për një ligj që nuk jep zgjidhje për zhvillimin e sektorit e që sipas saj ishte hartuar në bazë të interesave klienteliste. Përfaqësuesit e majtë përkundrazi vlerësuan se ligji synon strukturimin e një sektori i cili ka patur më së shumti një zhvillim spontan dhe jo të organizuar, dhe se i hap rrugë investimeve të mëdha private.

Këto debate pritet të rikthehen edhe një herë në shtator, pasi sot presidenti Bujar Nishani, refuzoi të dekretonte ligjin. Në shpjegimin e tij për motivet e kthimit në parlament, kreu i shtetit vecon të paktën tre elementë. Ai kundërshton parashikimin në ligj të përdorimit nga ana e ministrisë së Ekonomisë të një fondi të posacëm për financimin e projekteve apo studimeve, i cili nuk i nënshtrohet procedurave të prokurimit. Presidenti Nishani nënvizon se një përcaktim i tillë bie ndesh me ligjin për prokurimet.

Një pikë e dytë e kundërshtar nga kreu i shtetit ka të bëjë me faktin se pasuritë e patundshme që ndodhen në zonat që do të përcaktohen me përparësi për turizmin, i kalojnë me vendim qeverie ministrisë përkatëse. Sipas zotit Nishani, një parashikim i tillë prek parimin kushtetues të autonomisë vendore si dhe bie ndesh me të drejtën e pronësisë të njësive vendore. Presidenti kundërshton edhe një moment tjetër kur në rast të një mosmarrëveshjeje mes proarit të një sipërfaqeje dhe një investitori, shtetit i njihet e drejta që të ndërhyjë duke bërë shtetëzimin e sipërfaqes.

Zoti Nishani vlerëson gjithashtu se ligji në të paktën dy nene “cënon parimin e sigurisë juridike, pasi nuk tregohet mënyra rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore, ndërkohë që termi “vënie në dispozicion” nuk njihet as nga Kodi civil. Kushtet për vënien në dispozicion të pasurive shtetërore për një periudhë 99 vjet, dhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 Euro – nënvizon presidenti- duhet të përcaktohen në ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave”.

XS
SM
MD
LG