Lidhje

Presidenti i ri ofron bashkëpunim me opozitën


Në Shqipëri, presidenti i porsazgjedhur Bujar Nishani tha sot se bashkëpunimi me të do të jetë një nga përparësitë e tij si kryetar i shtetit. Socialistët e kundërshtuan hapur kandidimin e tij. Edhe sot kryetari socialist Edi Rama u shpreh se vendi ka në krye sipas tij një noter partiak. Nga ana e tij zoti Nishani nënvizoi se ai i ofron respektin maksimal opozitës, sikunder dhe institucioneve e aktoreve kryesore te vendit. Presidenti i porsazgjedhur Bujar Nishani, ishte sot në ministrinë e Brendshme për t’u përshëndetur me punonjësit dhe bashkëpunëtorët e tij, pasi sic shpjegoi vetë, ai kishte dhënë dorëheqjen që gjatë ditës së djeshme: “Unë që ditën e djeshme përpara votimit në Parlament kam depozituar pranë Kryeministrit kërkesën për dorëheqje. Sot, siç e shihni unë bëra shkëputjen me stafin, për të krijuar një ambjent më relaksues në aspektin joformal. Formalisht kjo do të pasohet me dekretin e Presidentit të Republikës për lirimin tim nga detyra, pasi kjo t’i kërkohet nga ana e Kryeministrit, bazuar në kërkesën që unë kam depozituar dje”.
Zoti Nishani u zgjodh mbrëmë presidenti i ri i vendit vetëm me votat e shumicës së djathtë në pushtet. Opozita ndonëse e pranishme në sallë nuk mori pjesë në votim, si shenjë e një kundërshtimi të hapur ndaj kandidaturës së tij. Madje edhe sot, kryetari socialist Edi Rama, deklaroi se në drejtimin e shtetit është sipas tij një noter partiak: “Fatkeqësisht sot Shqipëria u gdhi me një noter partiak në rolin e Presidnetit të Republikës, duke i dhënë familjes europiane mesazhin më të gabuar përpara provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel. Cështja e Bashimit tonë me Europën mori një goditje të rëndë. Europa sot është më larg se dje, Shqipëria sot është më larg se dje nga familja europian.”
Zoti Nishani tha se bashkëpunimi me opozitën do të jetë një prioritet që ditën e parë të punës si president i vendit duke u shprehur se do të kishte dashur të merrte edhe mbështetjen e saj në parlament: “Natyrisht që do të më pëlqente shumë të merrja dhe votat e opozitës, por opozita ka ushtruar të gjithë të drejtën e sovranitetit të saj. Ajo që është e rëndësishme për mua ka të bëjë me faktin e respektit maksimal që unë i ofroj opozitës shqiptare ashtu si të gjithë institucioneve dhe aktorëve të rëndësishëm të jetës politike dhe publike në Shqipëri”.
Por duket se marrëdhëniet që ai do të ndërtojë me institucionet në të cilat Kreu i Shtetit ka ndikim direkt, vecanërisht ato të drejtësisë, dhe raportet e këtyre institucioneve me pushtetet e tjera pritet të jenë sfida e tij kryesore. Edhe në mesazhet e para të urimeve që ai mori nga ambasadorët e rëndësishëm në Tiranë, ai amerikan dhe ai i Bashkimit europian, vihej theksi pikërisht te roli i presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
XS
SM
MD
LG