Lidhje

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së


Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së
Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për hetimin parlamentar të veprimtarisë së zëvendës-kryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, pas dyshimeve se ai ka shfrytëzuar postin për të kryer veprimtari politike.

Kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Ilir Rusmajli, tha se “ka të dhëna që zoti Spahiu po shkel ligjet duke cënuar dinjitetin e institucionit që drejton, prandaj nevojitet një komision hetimor”.

Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, nisi të shpjegonte qëndrimet e tij para komisionit që e kish thirrur vetë, ndërsa kryetari Rusmajli e ndërpreu disa herë. Më pas zoti Spahiu doli nga salla e mbledhjes, duke thënë se nuk jep dorëheqjen nën presione të tilla politike. Zoti Spahiu dha më pas një konferencë ku deklaroi se “nisma për hetim ndaj tij nuk ka asnjë mbështetje kushtetuese. Sipas tij, Kushtetuta nuk parashikon ndaj nënkryetarit dhe anëtarit të KLD-së as shkarkim, as komision hetimor, sepse ata nuk janë prokurorë, avokatë apo gjyqtarë. Dhe se mandati i tyre përfundon vetëm kur e vërteton KLD”.

Deputetët e opozitës socialiste deklaruan se ata ishin më shumë të interesuar për reformimin e drejtësisë shqiptare dhe jo për shkarkime të pjesshme të përfaqësuesve të caktuar. Deputeti Fatmir Xhafa, tha se “kjo është një farsë dhe opozita nuk i bashkohet kërkesave për komision hetimor, sepse kjo nismë synon të shkarkojë nënkryetarin e KLD-së por jo të pastrojë drejtësinë shqiptare nga paaftësia dhe korrupsioni”.

Deputetët e opozitës deklaruan se jo vetëm nuk e miratojnë ngritjen e një komisioni hetimor ndaj nënkryetarit të KLD-së, por as nuk do të bëhen pjesë e atij komisioni. Ata u larguan nga mbledhja e komisionit parlamentar të ligjeve, ndërsa deputetët e shumicës miratuan kërkesën që në seancën e ardhshme të parlamentit të votohet për ngritjen e atij komisioni hetimor.

XS
SM
MD
LG