Lidhje

Nisma “2012 orë kundër urrejtjes” shkon në Shqipëri


Dy zyrtare të larta amerikane vijuan sot në Tiranë turin e tyre europian për nismën “2012 orë kundër urrejtjes”. E dërguara e posaçme e SHBA për antisemitizmin, Hannah Rosenthal, dhe përfaqësuesja e posaçme e SHBA pranë komuniteteve muslimane, Farah Pandith, zhvilluan takime në Shqipëri me përfaqësues të qeverisë, grupe fetare, studentë dhe organizata joqeveritare për të sjellë fushatën e tyre kundër fanatizmit dhe urrejtjes.

Ato diskutuan me studentë të Universitetit të Tiranës dhe shkollave fetare mbi larminë dhe harmoninë fetare, duke i ftuar ata që të bëhet pjesë e nismës “2012 orë kundër urrejtjes”.

“Bukuria e fushatës “2012 orë kundër urrejtjes” është që çdo orë dhe çdo person mund të sjellë ndryshimin që kërkohet” - thotë zonja Rosenthal, në takimin me nxënësit e një shkolle fetare. “Unë jam fëmija i një personi që i mbijetoi Holokaustit. Për fat të keq familja ime nuk jetoi ato vite në shqipëri, ku shqiptarët ruajtën të gjithë hebrenjtë që janë strehuar këtu. Ju ruajtët çdo hebre dhe kjo nuk mund të thuhet për asnjë vend tjetër në botë” - tha ajo.

Nisma “2012 orë kundër urretjes” u kërkon të rinjve anembanë botës që të bëjnë diçka për të ndaluar urrejtjen, dhe të bëjnë diçka për dikë që jeton, lutet dhe ka pamje të ndryshme nga ata. “Dikush na tregoi traditën shqiptare; nuk ka rëndësi nëse ata janë musliman, kristian, hebre, më shumë se sa fakti që ata janë shqiptarë. Ky është një mesazh i jashtëzakonshëm që shqiptarët i dërgojnë botës” - tha Farah Pandith, përfaqësuesja e posaçme e SHBA pranë komuniteteve muslimane. “Zëri juaj ka vlerë. Mënyra se si ju jetoni jetën tuaj ka rëndësi dhe ndikon në komunitetin tuaj dhe më gjerë në botë. Tregoni historinë tuaj se si shpëtuat të gjithë hebrenjtë, tregoni se si në vendin ka shumë martesa të përzjera. Të rinjtë duhen dëgjuar më shumë, mendimet e tyre vlejnë dhe ata mund ta sjellin ndryshimin” - u tha ajo të rinjve në takim.

Rosental dhe Pandi ishin më parë në Londër dhe Athinë për të ftuar njerëzit në fushatën e tyre europiane kundër urrejtjes dhe për të rritur respektin midis kulturave, feve, traditave dhe shtresave shoqërore.

XS
SM
MD
LG