Lidhje

Nisma "Mbill pemën tënde”


Një grup qytetarësh të Tiranës nga mosha dhe profesione të ndryshme mbollën sot 100 pisha në parkun e liqenit artificial. Ky është vetëm fillimi i një nisme të veçantë në mbrojtje të natyrës me titull “Mbill pemën tënde”. Grupi nismëtar e nisi gjithçka rastësisht për të marrë pjesë në rregullimin e mjedisit në kryeqytet. Por lajmi u përhap me shpejtësi nga rrjetet sociale dhe befas ata panë një interesim shumë të madh të qytetarëve për këtë veprimtari, që i ka tejkaluar deri në 3 herë parashikimet.

“Mbill pemën tënde” është një aksion ku njerëzit marrin pjesë vullnetarisht me një pagesë 4 dollarë për të blerë një fidan pishe, që e mbjellin në zona të ndryshme të Tiranës. Lëvizja ka edhe një numër llogarie bankare të përcaktuar për blerjen e fidanëve. Por shumë prej veprimtarëve kanë blerë dhe kanë kërkuar të mbjellin më shumë se një pemë, për vete dhe për pjestarët e familjeve. Madje shumë vullnetarë të tjerë kanë kërkuar që të mbjellin pemë në kujtim edhe të familjarëve dhe personaliteteve që nuk jetojnë më. Kështu numri i fidanëve nga 100-200 rrënjë, që u mendua në fillim tani ka shkuar mbi 600 fidanë.

Nisma po mbështetet nga bashkia e Tiranës, por kjo është ndër të paktat raste të reagimit spontan qytetar, të panxitur nga interesa gjithëfarëllojshe. Njerëzit po japin me modesti ndihmesën e tyre për mjedisin dhe po gjelbërojnë qytetin me mbjelljen e shumë pemëve, pa tendera dhe procedura ligjore të ngatërruara. Shumë prej tyre janë mbledhur menjehërë me një njoftim të thjeshtë në rrjetet sociale dhe kanë blerë nga një deri në 6 fidana secili, duke shfaqur një ndjeshmëri të lartë për mjedisin dhe për bashkëpunimin në komunitet.

Interesimi i madh i qytetarëve për të mbjellë sa më shumë pemë përkrah këtyre të rinjve e shtyu edhe bashkinë të kërkojë zona të tjera për gjelbërim në dispozicion të tyre. Nismëtarët mendojnë që këtë radhë të përqëndrohen në Tiranë, më pas do të dalin edhe jashtë saj që të pyllëzojnë zona ku kanë rënë zjarre, në malin e Dajtit dhe në male të tjera, po edhe zona ku ka gërryerje të ujërave dhe rrëshqitje të kodrave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG