Lidhje

Një fshat i ndarë mes Rusisë dhe Ukrainës


Ukraine village

Ukraine village

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, fshati Vyselki u nda në dy pjesë. Ana perëndimore u bë pjesë e rajonit Donetsk, në lindje të Ukrainës, ndërsa ana lindore iu bashkua rajonit rus të Rostovit dhe u quajt Avilo-Uspenki.

Gjatë këtyre viteve banorët kanë arritur të jetojnë në paqe, por e ardhmja e kësaj zone është bërë tashmë e pasigurt për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës.

Që kur shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 e ndau fshatin Vyselki midis Ukrainës dhe Rusisë, banorët kanë vazhduar të jetojnë së bashku në mënyrë paqësore, duke bërë pazarin në njërin shtet dhe duke paguar faturat e energjisë elektrike në tjetrin.

Por tensionet e tanishme mes Rusisë dhe Ukrainës e kanë bërë të ardhmen e kësaj zone të pasigurt, duke ndarë miqësi dhe duke penguar kalimet tranzit përtej kufirit.
Pas aneksimit rus të Krimesë, 74-vjeçari ukrainas Nikolai Chernyshov shqetësohet se mund të vihet një sistem vizash për të lëvizur mes dy shteteve.

"Më parë kemi jetuar pa probleme. Vija këtu, kaloja kufirin dhe vizitoja motrën time. Ajo jeton në anën tjetër. Edhe miqtë e mi jetojnë në anën tjetër," tha ai.

Situata në pikën e kalimit ka qenë paqësore deri tani, edhe pse rojet kufitare ukrainase herë pas here kanë gjetur armë dhe sende të tjera të dyshimta mes vizitorëve rusë.

"Kemi gjetur armë, thika, sëpata, shkopinj, si dhe simbole anti-ukrainase. Të gjithë këta shtetas rusë nuk janë lejuar të hyjnë në Ukrainë dhe jnaë kthyer në territorin e Federatës Ruse," thotë

Andrei Oliynik, nënkryetar i pikës së kontrollit të kufirit në anën e Ukrainës.
Punonjësi ukrainas i hekurudhës Andrei thotë armiqësia mes dy vendeve do të shtohet:

"Armiqësia do të bëhet më e madhe, lindja do të ngrihet të kundërshtojë, lindjes po i mbaron durimi. Lindja do të reagojë nëse gjëra të papranueshme ndodhin në Kiev dhe Lviv."

Kufiri ruso-ukrainas kalon përmes fushave të perimeve të fermeres ukrainase 58-vjeçare Olga Mikhaleva. Ajo thotë se nuk dëshiron të shohë një përshkallëzim ushtarak në rajon dhe se shpreson që politikanët ta zgjidhin konfliktin në mënyrë paqësore.

"Ata duhet të gjejnë ndonjë mënyrë politike. Le të lënë mënjanë ambiciet e tyre dhe ta administrojnë situatën në mënyrë të qetë," tha ajo.

Pas një pushimi dimëror, zonja Mikhaleva është kthyer tashmë në punë në fermën e saj.
XS
SM
MD
LG