Lidhje

Një intervistë e Edward Snowden-it


Edward Snowden, ish kontraktori amerikan i zbulimit, i cili publikoi hollësi rreth përgjimeve të qeverisë brenda vendit, tha se ishte stërvitur si agjent dhe ka punuar si i tillë jashtë vendit për zbulimin amerikan.

Në një intervistë në Moskë me gazetarin Brian Williams të rrjetit televiziv NBC, Snowden hodhi poshtë kritikat që e përshkruajnë atë si një analist të nivelit të ulët. Ai tha se hiqej se "punonte në një vend pune të rremë", dhe se i ishte dhënë një emër që nuk ishte i tij. Pjesë të intervistës u publikuan të martën:

"Ata po përpiqen të përdorin një vend pune që unë kam patur aty këtu në karrierën time për të hequr vëmendjen nga përvoja ime në përgjithësi. Unë kam punuar si agjent i Agjencisë Qëndrore të Zbulimit jashtë vendit, kam punuar si agjent i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe kam dhënë leksione në Agjencinë e Zbulimit të Mbrojtjes në Akademinë e përbashkët për Kundërzbulimin ku përpunoja metoda për të ruajtur sigurinë e njerëzve dhe të informacionit tonë në mjediset më të rrezikshme dhe më armiqësore në botë. Kështu që kur ata thonë se nuk di çfarë flas, mendoj se nuk thonë të vërtetën."

Snowden punonte si kontraktor për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare kur u largua për në Hong Kong vitin e kaluar me dokumente të kompjuterizuara që jepnin hollësi mbi të dhënat e komunikimeve masive të qytetarëve amerikanë të grumbulluara nga NSA-ja.

Ai ja kaloi dokumentet gazetarit Glenn Greenwald, i cili bëri publike ngjarjen për gazetën britanike The Guardian. Snowden më në fund shkoi në Moskë, ku i është dhënë strehim. Ai përballet me akuza penale në Shtetet e Bashkuara për publikimin e informacioneve sekrete.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj javën e kaluar që synon t’i japë fund grumbullimit nga NSA-ja të të dhënave në internet dhe të telefonatave të amerikanëve.

Intervista e plotë – e para për Snowdenin nga një media amerikane, do të transmetohet sonte.
XS
SM
MD
LG