Lidhje

Një zyrtar i lartë kinez në Taivan


Për herë të parë, Kina ka dërguar një zyrtar të nivelit ministror në Tajvan. Media shtetërore kineze po e quan këtë një hap të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zhang Zhijun, që drejton Zyrën Kineze për Marrëdhëniet me Tajvanin, mbërriti në Tajvan sot duke filluar kështu një udhëtim katër ditor në ishullin e vetqeverisur.

Zyrtari i lartë kinez tha se të dy vendet janë përgjegjëse për ruajtjen me kujdes të status-quosë dhe zhvillimet paqësore.

“Kemi përgjegjësi të mëdha dhe duhet të punojmë më shumë. Duhet të jemi të kujdesshëm në ruajtjen e status-quosë dhe të kemi zhvillime paqësore nga të cilat përfitojnë popujt e dy vendeve.”

Më pas ai u takua me homologun tajvanez Wan Yu-Chi, i cili vizitoi Pekinin në shkurt. Takim i shkurtit shënon mbajtjen e bisedimeve të para politike për Tajvanin në Kinë që nga lufta e tyre civile 65 vjet më parë.

Gjatë vizitës së tanishme do të diskutohet për shtimin e shkëmbimeve tregëtare dhe për krijimin e zyrave konsullore në territoret përkatëse për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënive më të ngushta. Nuk pritet të ketë bisedime për çështje delikate politike.

Me gjithë ngrohjen e marrëdhënieve, shumica e publikut tajvanez është e shqetësuar se Tajvani mund të bëhet më i varur nga Kina, e cila është një partner i rendësishëm ekonomik.

Në muajin mars, studentët protestues u futën në parlamentin tajvanez dhe kërkuan që qeveria të hedhë poshtë një marrëveshje të debatueshme tregtare me Kinën, duke thënë se nuk ishte transparente sa duhej.

Lidhjet ekonomike janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, kryesisht pas rizgjedhjes në vitin 2012 të presidentit Ma Ying-jeou, që është më miqësor ndaj Pekinit.

XS
SM
MD
LG