Lidhje

Një aeroplan i NATO-s me ndihma për Pakistanin arrin në Islamabad

  • Zëri Amerikës

Një aeroplan i NATO-s me ndihma për Pakistanin arrin në Islamabad

Një aeroplan i NATO-s me ndihma për Pakistanin arrin në Islamabad

Një aeroplan i NATO-s me ndihma për Pakistanin arriti sot në Islamabad, kontingjenti i parë humanitar që dërgon atje aleanca prej 28 vendesh pas përmbytjeve të mëdha që kanë prekur miliona. Materialet e ndihmave përfshijnë gjeneratorë, pompa uji dhe tenda të dhuruara nga Sllovakia. Përmbytjet në Pakistan, më të rëndat prej disa dekadash, kanë shkatërruar fshatra, ura dhe rrugë, kanë lënë më tepër se 4 milion njerëz pa strehë dhe kanë ngjallur shqetësime se ekstremistët mund ta shfrytëzojnë gjendjen e kaosit për qëllimet e tyre.

Zyrtarët e NATO-s thonë se vendet anëtare po bashkërendojnë dërgimin e ndihmave në përgjigje të një kërkese të bërë nga qeveria e Pakistanit nmë 7 gusht.

Drejtori i Qendrës pakistaneze për Përballimin e Katastrofave Hassan Zulfiqar tha se kërkohen më shumë ndihma:

''Kjo është një kohë prove për Pakistanin dhe për ndihmën ndërkombëtare si kjo e NATO-s, e cila është duke ardhur. Ne shpresojmë se ajo do të përmirësohet në ditët e ardhëshme dhe ne presim më tepër nga vendet mike. Ne shpresojmë se do të jemi në gjendje ta zgjidhim situatën shumë shpejt."

Glatt-Kallenberg, i forcës ajrore gjermane tha se është krenar që merr pjesë në operacion.

"Patjetër që ndjehemi mirë që kontribuojmë me ndihma ndërkombëtare. Njerëzit po kontribuojnë me ndihma nga e gjithë bota ndërsa ne si njësi e NATO-s e transportojmë tek njerëzit në terren prandaj ndjehemi mirë që jemi një hallkë në këtë zinxhir për të ndihmuar”.

Ministri i jashtëm pakistanez tha se bota ka dhënë ose ka premtuar më shumë se 800 milion dollarë ndihma për Pakistanin.

Qeveria është akuzuar se po lëviz tepër ngadalë dhe se organizatat bamirëse islamike – disa me lidhje të dyshuara me grupe ekstremiste - po veprojnë me shpejtësi për t’u dhënë ndihmë pakistanezëve tashmë të zhgënjyer me zyrtarët, të cilët në të kaluarën nuk u janë përgjigjur në kohë problemeve të sigurisë, varfërisë dhe mungesave kronike të energjisë elektrike.

XS
SM
MD
LG