Lidhje

Një amendament i luftës së ftohtë mund të dëmtojë tregtinë Uashington-Moskë


Dhjetorin e kaluar, Organizata Botërore e Tregëtisë miratoi anëtarësimin e Rusisë. Moska nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen, por ekspertët thonë se presin që ratifikimi të përfundojë deri nga mesi i korrikut, kur Rusia të bëhet anëtare e plotë e OBSH-së. Ndërkohë, ekziston një amendament amerikan i periudhës së Luftës së Ftohtë, i njohur si amendamenti Jackson-Vanik, i cili mund të dëmtojë tregëtinë mes Uashingtonit dhe Moskës.

Organizata Botërore e Tregtisë mbikqyr rregullat e tregtisë në botë. Çdo vend anëtar i kësaj organizate me seli në Gjenevë duhet të pranojë një sërë marrëveshjesh. Ato përfshijnë një tavan në nivelet e tarifave që qeveritë mund të vendosin mbi artikuj të ndryshëm importi, ndërsa të tjera kanë të bëjnë me mbrojtjen e pasurisë intelektuale. Gjithashtu, çdo vend anëtar duhet të ndryshojë shumë ligje ekonomike dhe tregtare për të përmbushur standardet ndërkombëtare.

OBSH-ja ka gjithashtu një mekanizëm të efektshëm që zgjidh mosmarrëveshjet tregtare. Shtetet e Bashkura kanë bllokuar anëtarësinë e Rusisë në këtë organizatë. Për më tepër, administrata Obama thotë se bizneset amerikane do të dëmtoheshin nëse Kongresi nuk shfuqizon një amendament të Aktit të Tregtisë të vitit 1974.

Gjatë një seance dëgjimore kohët e fundit në Kongres, kryetari i Komisionit të Senatit për Financat, Max Baucus foli rreth të ashtuquajturit amendamenti Jackson-Vanik.

“Amendamenti Jackson-Vanik mohon marrëdhënie normale tregtare me vende komuniste dhe ish komuniste, me përjashtim të rasteve kur presidenti arrin në përfunfimin se një vend i caktuar lejon emigrimin e lirë e të pakufizuar të qytetarëve të vet. Kongresi e miratoi fillimisht këtë ligj në përgjigje të kufizimeve të emigracionit nga ana e Bashkimit Sovjetik, veçanërisht në lidhje me qytetarët hebrenj. Amendamenti Jackson-Vanik e ka arritur qëllimin e tij. Ai ndihmoi miliona hebrenj të emigronin lirisht, por tani ai është një relike e së kalurës. Çdo president, pavarësisht përkatësisë partiake, ka shfuqizuar kërkesat e këtij amendamenti për Rusinë në 20 vjetët e fundit”.

Anders Aslund, ekspert për Rusinë në Institutin Peterson për Ekonomitë Ndërkombëtare, thotë se ka disa arsye që amendamenti Jackson-Vanik duhet të shfuqizohet.

“Së pari, ai ka të bëjë me një vend që nuk ekziston më, Bashkimin Sovjetik. Së dyti, emigracioni është bërë shqetësues, gjë që nuk ka qënë problem për shumë vjet”.

Gjithashtu, thotë eksperti Aslund, nëse amendamenti Jackson-Vanik nuk shfuqizohet, tarifat mbi importet ruse në Shtetet e Bashkuara do të ngriheshin 50 për qind, duke dëmtuar kështu rëndë, e ndoshta duke u dhënë fund të gjitha eksporteve ruse në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që edhe eksportet amerikane në Rusi do të dëmtoheshin rëndë.

Sam Allen, drejtor i firmës amerikane Deere and Company, që prodhon makineri bujqësore, paraqiti një pikpamje të ngjashme gjatë një seance dëgjimore kohët e fundit në Kongresin amerikan.

“Rusia, pas pranimit në OBSH, është angazhuar të ulë ndjeshëm tarifat mbi pajisjet e importuara bujqësore nga 15 për qind në 5 për qind. Megjithatë, ka të ngjarë që Rusia të mos zbatojë tarifa më të ulëta për prodhimet amerikane deri sa asaj t’i njihen marrëdhënie të përhershme normale tregtare”.

Këto marrëdhënie me Rusinë mund të vendosen vetëm nëse shfuqizohet amendamenti Jackson-Vanik. Por ndërsa disa biznese amerikane kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të amendamentit, të tjerë bëjnë thirrje për masa të kujdesshme, mes tyre Senatori Jon Kyl, i cili kohët e fundit foli mbi këtë çështje para kolegëve të tij.

“Ndërsa emigracioni mund të mos jetë më çështje shqetësuese, shkelja e hapur nga Rusia e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit është po aq aktuale sot sa edhe dekada të shkuara. Të drejtat e njeriut nuk mund të lihen jashtë një diskutimi mbi marrëdhëniet tona ekonomike me Rusinë, veçanërisht për faktin se disa prej abuzimeve më të rënda kanë të bëjnë me ushtrimin nga qytetarët të drejtave të tyre ekonomike dhe komerciale”.

Senatori Kyl tha se Rusia ka filluar të zbatojë më pak normat dhe vlerat ndërkombëtare.

“Gjatë muajve të fundit, Moska jo vetëm që ka bllokuar rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Sirinë, por ka vazhduar t’i shesë armë regjimit të presidentit al-Assad, i cili është përgjegjës për masakrimin e qytetarëve të vet të pafajshëm. Kjo nuk është një qeveri që mund t’i besohet se do të respektojë angazhimet ndërkombëtare ose do të trajtojë drejtë bizneset amerikane”.

Senatori Kyl tha se nuk ka arsye për t’u nxituar në shfuqizimin e amendamentit Jackson-Vanik. Ai shtoi se nuk është e arsyeshme që të ndërmerret një hap i tillë para një shqyrtimi me rrënjë të marrëdhënieve amerikano-ruse.

XS
SM
MD
LG