Lidhje

Një anije ushtarake amerikane, vizitë në portin e Durrësit


Anija amerikane USS Gunston Hall po bën një vizitë treditore në portin e Durrësit. Qëllimi i kësaj vizite është që të forcohet bashkëpunimi me Flotën Detare Shqiptare, e cila tani është antare e NATO-s.

Ekuipazhi ka parashikuar edhe vizita në Krujë e Tiranë. Anija është pjesëtare e Flotës së gjashtë amerikane dhe SHBA vlerësohen si partneri kryesor i Flotës shqiptare.

Ushtria e SHBA solli sot në portin e Durrësit një nga anijet e Flotës së 6-të amerikane për një vizitë miqësore në kuadër të bashkëpunimit me flotën detare të Shqipërisë. Anija USS Gunston Hall po kryen një vizitë portuale të zakonshme në portin e Durrësit. Autoritetet thanë se kjo vizitë është në vazhdim të përpjekjeve të Flotës së 6-të të SHBA për të ndërtuar partneritete globale detare me vendet europiane dhe për të përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen detare.

Anija USS Gunston Hall do të qëndrojë për tre ditë në portin më të madh shqiptar. Oficerët dhe ekuipazhi po takohen me zyrtarë lokalë gjatë qëndrimit të anijes në Durrës, dhe po marrin pjesë në veprimtari kulturore.

Anija USS Gunston Hall, pjesë e Forcave detare amerikane po kryen këtë vizitë portuale si pjesë e itinerarit të saj për t’u dislokuar në një zonë përgjegjësie të Flotës së 6-të të SHBA - thanë zyrtarët. Ajo hyri në port këtë mëngjes, dhe u ankorua në kalatën 5.

Burime të tjera nga porti bënë të ditur se gjatë qëndrimit treditor, afro 700 marinsat e anijes do të vizitojnë disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, Durrësin, Tiranën dhe Krujën, të shoqëruar nga autobusat e agjencive turistike. Kolegëve shqiptarë u bënë përshtypje përmasat e anijes; 185 metra e gjatë, 25 metra e gjerë, me 6 metra zhytje dhe me një peshë afro 17 mijë ton, ku përfshihen edhe 4 helikopterë.

Flota detare e SHBA vlerësohet si partneri kryesor për forcat detare shqiptare perms trajnimit të personelit, stërvitjeve të përbashkëta, pajisjen e Flotës me pesë motovedeta dhe anije patrullimi, modernizimit me aparatura të vëzhgimit detar.

Shqipëria është anëtare e NATO-s pas disa vitesh pjesëmarrëse në programin e “Partneritetit për Paqe” dhe “Kartës Adriatik 3”. Ushtria shqiptare e ka shtuar pjesëmarrjen e saj me trupa speciale luftuese në disa misione si Iraku, Afganistani dhe tani ka gati njësitë e veta të dislokueshme për misione paqeruajtëse.

XS
SM
MD
LG