Lidhje

Një delegacion i Kongresit amerikan viziton Maqedoninë

  • Isak Ramadani

Një delegacion i Kongresit amerikan po qëndron për vizitë në Maqedoni për t’u njohur me zhvillimet e atjeshme në kuadër të përpjekjeve integruese të këtij vendi. Ligjvënësit Dejvid Drajër, Dejvid Prajs, Xhim Mekdermot, Erik Paulsen dhe Geri Konoli u pritën nga presidenti dhe nga kryeministri maqedonas, ndërkohë që mbajtën një takim me deputetët e Parlamentit të Maqedonisë, anëtarë të Këshillit drejtues të Institutit parlamentar.

Përfaqësuesit e Kongresit kanë shprehur qëndrimin në mbështetje të plotë të anëtarësimit të Maqedonisë në Nato dhe gatishmërinë për thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit përmes programit House Democracy Partnership.

Ligjvënësit kanë theksuar rolin e Maqedonisë në misionet paqësore dhe kanë lënë të kuptohet se integrimi i Maqedonisë në Nato do të thotë zgjerim i zonës së qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon.

Autoritetet maqedonase kanë shprehur mirënjohje për letrën të cilën 54 anëtarë të Kongresit ia dërguan presidentit Barak Obama lidhur me integrimin e Maqedonisë në Nato.

Vizita e ligjvënësve amerikanë në Shkup bëhet në një periudhë shumë të rëndësishme për Maqedoninë, në prag të takimit të nivelit të lartë të Aleancës Veriatlantike që do të mbahet në Çikago, në muajin maj. Megjithëse, në këtë takim nuk pritet të ketë zgjerim të Aleancës dhe Maqedonia vazhdon të jetë e kushtëzuar për ndryshimin e emrit të saj në mënyrë që të bëhet pjesë e Natos.

XS
SM
MD
LG