Lidhje

Një depo e re shton ujin e pijshëm në kryeqytetin shqiptar


Një depo e re shton ujin e pijshëm në kryeqytetin shqiptar
Një depo e re shton ujin e pijshëm në kryeqytetin shqiptar

Ujësjellësi i kryeqytetit shqiptar është në prag të futjes në punë të një depoje gjigande që do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin e Tiranës me ujë të pijshëm. Ky është një investim i këtij viti dhe është ndërtuar krejtësisht me fondet e vetë kompanisë, ashtu si pjesa dërrmuese e ndërtimeve të saj. Shoqëria e ujësjellës - kanalizimeve ndërtoi këtë vit mbi 50 kilometra tubacione dhe këtë depo me rreth 10 milionë litra akumulim. Investimet që kapin shifra të konsiderueshme, janë kryer me ato para që qytetarët paguajnë faturat e ujit të pijshëm, në mënyrë që banorët të shohin me sytë e tyre që vetëm nëse paguajnë faturat, atëherë do t’u rritet menjëherë sasia dhe cilësia e ujit të pijshëm.

Drejtuesi i departamentit inxhinierik në ujësjellësin e Tiranës, inxhinieri Luan Peti, thotë se “depoja e re ishte një sfidë e vërtetë teknike, sepse është një nga më të mëdhatë e rajonit dhe përmirëson ndjeshëm shërbimet jetësore dhe sigurinë shëndetësore në kryeqytet”. Sipas tij, aktualisht janë vënë në punë 2 kilometra tubacione maksimale për t’u bashkuar me rrjetin e furnizimit dhe po bëhen provat e fundit para se depoja e re të vihet në plotësisht në punë. Njëkohësisht me depon e re mbi guroren e Tiranës, shoqëria e ujësjellës - kanalizimeve ka kryer këtë vit me fondet e veta shtatë investime në rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes për të shtuar furnizimin e kryeqytetit me ujë të pijshëm. Krahas depos, janë ndërtuar dy puse të reja fushore në Laknas dhe Bërxull, dy linja transmetimi dhe tre rrjete shpërndarëse, gjithsej 55 kilometra tubacione të diametrave maksimalë në Yzberisht, Unazë e Re, zona e Misto Mames, dhe pastaj nga Dajti, Shkoza, Qesaraka dhe gjithë zona deri te pallati presidencial.

Pasi ndërtoi një seri deposh në periferinë lindore të kryeqytetit, ndërmarrja e ujësjellësit po ndërton tani stacione pompash dhe një linjë të re në periferinë perëndimore të tij, të cilat do të furnizojnë mbi 200 mijë banorë ose çerekun e familjeve të Tiranës. Sipas drejtorit të departamentit inxhinierik, Luan Peti, “investimet në Laknas e Bërxullit janë pjesë e strategjisë për furnimin 24 orë me ujë të Tiranës. Në këtë zonë ujëmbajtëse po rindërtohen dy stacione pompash,14 puse të mëdha dhe 8 kilometra linja të reja të transmetimit të ujit drejt banesave”.

Investimet janë shtrirë nga afërsia e burimeve natyrore, në zonat periferike dhe drejt qendrave të mëdha të Tiranës. Drejtuesit e ujësjellësit pohojnë se pas ndërtimit të depove përreth kryeqytetit, sfida kryesore mbetet rindërtimi i rrjetit kapilar të ujësjellësit në çdo lagje dhe pajisja me sahatë të rinj për çdo objekt të ri. Ujësjellësi po ndërpet mijëra lidhje të paligjshme në rrjet dhe po vendos matësa në çdo konsumator. Sipas ekspertëve, burimet ujore natyrore të Tiranës mund të mbajnë edhe 2 milionë banorë, por uji i pijshëm nuk duhet shpërdoruar nga qytetarët, sidomos në Paskuqan, Laknas, Bërxull, Babru, Sanatorium. Kryeqyteti shqiptar po rritet dita ditës, deri në afro 1 milionë banorë dhe ujësjellësi ka kërkuar që çdo ndërtim i ri të vendosë bashkëpunim me të për sistemin e ujit të pijshëm.

XS
SM
MD
LG