Lidhje

Një ditë para vendimit të Kolegjit Zgjedhor, sërish replika


Një ditë para vendimit të Kolegjit Zgjedhor, sërish replika
Një ditë para vendimit të Kolegjit Zgjedhor, sërish replika

Opozita dhe Partia Demokratike vijuan edhe sot betejën e deklaratave publike për zgjedhjet vendore, një ditë para se Kolegji Zgjedhor të shqyrtojë ankesën e Partisë Socialiste kundër Komisioit Qendror të Zgjedhjeve. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor që të japë një vendim pro opozitës dhe të mos ketë frikë nga presionet e qeverisë. “Nesër opozita pret përsëri drejtësinë. Presim nga Kolegji Zgjedhor drejtësinë ende të munguar, e cila prej javësh lëngon mes kapitullimit përballë presionit të pushtetit dhe detyrimit kushtetues përpara popullit Sovran. Presim që Kolegji Zgjedhor të mos shkelë ligjin” - tha ai. Zoti Rama bëri interpretime të ndryshme lidhur me vendimet e mëparshme gjyqësore që ai i ndau si Kolegji i parë dhe Kolegji i dytë, dhe u kërkoi gjyqtarëve që të ushtrojnë pa frikë detyrën e tyre për të dhënë drejtësi.“Ne shpresojmë që pesë gjykatësit e Kolegjit të nesërm të respektojnë Kushtetutën dhe të mos e ligjërojnë në asnjë mënyrë rezultatin haptazi antikushtetues të KQZ-së” - tha ai.

Por Partia Demokratike deklaroi se zoti Rama u bëri edhe sot “presion të papranueshëm institucioneve të pavarura një ditë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendim” për kërkesën që ai vetë ka bërë atje. Në deklaratën e PD theksohet se është paradoksale që “zoti Rama u kërkon gjyqtarëve të japin vetëm atë vendim që ai dëshiron”. Sipas deklaratës së PD, “zgjedhjet ishin më të ndershmet dhe më transparentet të bëra ndonjëherë në Shqipëri”, ndërsa zoti Rama nuk dëgjon zërin e qytetarëve dhe as të ndërkombëtarëve që u kërkojnë palëve të respektojnë vendimin e institucioneve të pavarura. Partia Demokratike deklaroi se “çdo votë u numërua sepse janë qytetarët ata që zgjedhin fituesin dhe jo politikanët”.

Ndërkaq Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, deklaroi se “është e nevojshme që procesi i tejzgjatur zgjedhor të përmbyllet sipas ligjeve në fuqi dhe palët të presin me qetësi fjalën e fundit dhe gjykimin e paanshëm e të pandikuar politikisht nga Kolegji Zgjedhor, si institucion i pavarur ligjor”. Zoti Topi i bëri këto komente gjatë një takimi sot me kryetarin e Zyrës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Volfart, kur sipas zyrës së shtypit, ata “kërkuan që të nisë sa më shpejt, me dialog dhe me konsensus ndërpartiak reformimi i Kodit Zgjedhor”. Ambasadori Volfart i OSBE-së tha në takimin me presidentin Topi, sipas të njëtit burim, se “palët duhet të respektojnë shtetin e të drejtës dhe ligjet në fuqi”, dhe theksoi se “është mëse e nevojshme rivendosja e dialogut institucional e funksional demokratik”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli kandidatin Lulzim Basha fitues në zgjedhjet vendore për kryeqytetin, por ky vendim u ankimua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Socialiste, e cila beson se garën e fitoi kandidati i saj Edi Rama. Vendimi i nesërm i Kolegjit, gati 2 muaj pas garës së 8 majit, dhe pritet të jetë formalisht i fundit në përgjigje të serisë së ankesave të socialistëve për zgjedhjet vendore.

XS
SM
MD
LG